Kombëtarja e Kosovës në futsall sot ka udhëtuar për në Gjeorgji, për të marrë pjesë në raundin e parë të eliminatorëve për kualifikimin në kampionatin evropian të futsallit “Euro 2022”.

Mirëpo pak minuta para nisjes lojtarët e Kosovës janë fotografuar duke pirë cigare, fotografi të cilat i ka siguruar eksluzivisht KosovaPress.

Njëri nga lojtarët e Kosovës në futsall i përfshirë në këto ngjarje, Oso Gjinovci ka publikuar një letër kërkim falje rreth kësaj ngjarje. Ai ndër tjerash ka shkruar se ata nuk janë konsunmues të rregullt të cigares dhe ky veprim nuk është një mesazh që duhet dërguar tek gjeneratat e reja.

“Në emër të bashkëlojtarëve, unë Oso Gjinovci kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur sot në aeroport, para udhëtimit tonë për në Gjeorgji. Kjo çfarë kemi bërë ne, nuk është dashtë të ndodhë, është një gabim për të cilin kërkojmë falje. Ne nuk jemi konsumues të rregullt të cigares. Arsyeja pse ne sot jemi parë duke e bërë atë veprim, është ditëlindja e bashkëlojtarit tonë Malush Qerimi. Jemi të vetëdijshëm se ky veprim nuk është një mesazh që duhet të dërguar te gjeneratat e reja, pasi ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës, me shumë përgjegjësi dhe krenari. Ne do të tentojmë që këtë gabim, ta përmirësojmë në parket gjatë këtyre kualifikimeve. Më lejoni që ne në shumë raste kemi udhëtuar dhe kemi zhvilluar ndeshje për Kosovën me mjete financiare vetanake, këtë nuk e kemi përmendur asnjëherë dhe prapë jemi në gjendje të bëjmë një gjë të tillë, pasi për ne më e rëndësishme është fane lla e Kosovës. Për fund, ju kërkoj edhe njëherë falje dhe ju garantoj se nuk do të përsëritet ky veprim në të ardhmen”, ka shkruar ai.

Kujtojmë që për këtë rast ka reaguar edhe sektretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili për KosovaPress është shprehur se nuk mund t’ua ndalojnë futbollistëve pirjen e cigares, mirëpo ky është një gjest i paarsyeshëm, të cilin e kanë bërë futbollistët e Kosovës.

“Me të vërtete është një gjë e pahijshme. Nuk është në rregull aspak. Lojtarët në momentin që prezantojnë Kosovën, kanë të veshur fanellën e Kosovës, assesi nuk iu lejohet të pinë duhan në vendet publike, është totalisht e pa tolerueshme. Mirëpo ne nuk mund t’jua ndalojmë atyre duhanin në jetën e tyre private”, ka deklaruar Salihu./KosovaPress/

Top Channel