Takimi i radhës mes liderit të vetëvendosjes dhe atij të lidhjes demokratike të Kosovës ka përfunduar sërish pa marrëveshje ndërkohë që tani duket se do të hyjë në lojë faktori ndërkombëtar.

Përmes një njoftimi për shtyp, lëvizja vetëvendosje njoftoi të hënën se sot do të takohen sërish Kurti dhe Mustafa, së bashku me ambasadorët e Kuintit, pesë vendet kryesore perëndimore) si dhe me Shefen e Misionit të Bashkimit Evropian”, në përpjekje për të arritur një marrëveshje koalicioni.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se në takimin e së hënës, liderët e dy partive kanë biseduar për qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen e koalicionit.

Para takimit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në takimin po shkonte i shoqëruar nga nënkryetarët e kësaj partie, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, ka thënë se nga ana e subjektit politik që ai drejton, ekziston vullneti për një marrëveshje.

Posti i kryetarit të kuvendit, vazhdon të mbetet çështja që po pamundëson arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Edhe pse këtë post tashmë e ka marrë deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca gjatë seancës konstituive të kuvendit më 26 dhjetor, 2019, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe ai. Sipas LDK-së, në këtë fazë, Vetëvendosje duhet ta ketë postin e kryeministrit, kurse LDK atë të kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë pas certifikim të rezultatit të zgjedhjeve nisën punën për harmonizimin e programit për bashkëqeverisje. Megjithatë, ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje, edhe pse po mbushen thuajse katër muaj nga zgjedhjet.

Top Channel