Kosovë, euro false/ Kartëmonedha që qarkullon më shumë

28/01/2020 18:40

Rreth 70 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat ishin vënë në qarkullim në tregun e Kosovës vetëm brenda pjesës së parë të vitit 2019.

Kartëmonedha më e falsifikuar, sipas të dhënave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të cilat i janë dërguar Radios Evropa e Lirë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka qenë ajo prej 100 euro, ndërsa në mesin e monedhave, janë prerjet prej 2 dhe 1 eurosh. Më pak të falsifikuarat rezultojnë kartmonedhat në vlerë 500, 200 dhe 50 euro.

Zyrtarët e BQK-së, duke u bazuar në raportet statistikore të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forensikën përgjatë tre viteve të fundit, pohojnë se rastet e parave të falsifikuara kanë pësuar rritje, edhe pse ajo sipas tyre nuk është në nivel shqetësues.

Vetëm në një rast, gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës pohoi se ka mundur të parandalojë  prodhimin e mbi 4 milionë dollarëve të falsifikuar, ndërsa në një rast tjetër ka kapur rreth 4 mijë euro para të falsifikuara. Në të dy herët, kanë përfunduar në pranga disa persona të dyshuar.

Top Channel