Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve të shëndetësisë, të cilat nuk kanë çuar në Kuçovë dozën e mjaftueshme të vaksinave kundër gripit. Për pasojë, të moshuarit enden në dyert e poliklinikave dhe spitaleve për të bërë këtë vaksinë, por deri më tani vetëm disa prej tyre e kanë bërë. Personeli mjekësor ka “ngritur duart lart”, pasi në qytetin e naftëtarëve kanë shkuar vetëm 30 vaksina, ku fillimisht është vaksinuar dhe stafi i qëndrës shëndetësore  dhe ato që kanë ngelur i kanë bërë pacientët me 3 diagnoza.

Në nëntor të vitit të kaluar, vetë kryeministri, Edi Rama, ka bërë një apel për të shkuar dhe për të bërë vaksinën kundër gripit. Rama shkruante se vaksina ishte falas për grupet e rrezikuara siç janë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. “Mirëmëngjes dhe me ftesën për të shkuar pranë qendrës suaj shëndetësore për të marrë vaksinën kundër gripit, të cilën grupet më të rrezikuara si të moshuarit, fëmijët 2-5 vjet dhe të sëmurët kronikë do ta kenë falas” shkruante Rama.

Por, çfarë ka ndodhur në realitet? Sipas ministres Manastirliu janë 138 mijë doza vaksinash falas, por në Kuçovë megjithëse është fund janari kanë shkuar vetëm 800 doza. Fiks Fare faktoi se në këtë qytet nevojiten të paktën 2000 vaksina për këtë kategori, duke sjellë që shumë të moshuar, të sëmurë dhe fëmijë, mos ta bëjnë këtë vaksinë.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Llazar Gjoza, i cili tha se megjithëse jemi në fund të muajit janar, nuk ka mundur dot të vaksinohet. 86 vjeçari është me hipertension, ndërkohë ka shumë probleme të tjera. Frika nga gripi e ka bërë të interesohet vazhdimisht për vaksinën, por nuk ka mundur dot deri më tani ta bëjë. Ai thotë se ka lënë numrin e telefonit  pranë qendrës shëndetësore , në rast se do të vinte një kontigjent tjetër vaksinash, pasi me dozat e para s’kishte mund të përfitonte.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Kuçovë dhe u interesuan pranë qendrës shëndetësore “Llukan Prifti”. Mjekja e familjes, Mimoza Caca, pohoi se në muajin nëntor kanë ardhur 30 vaksina kundër gripit, ku fillimisht është vaksinuar stafi mjekësor i qendrës  prej 8 persona. Sipas saj, dy mjekët që punojnë pranë kësaj qendre, kanë ndarë nga 11 vaksina secili. Pacientët  me tre diagnoza janë ata që e përfitojnë të parët, pasi e kanë më të domosdoshme, këtu futen pacientë me probleme  të frymëmarrjes, diabetit. Mjekja pohon se ka një numër prej 600 pacientë me sëmundje kronike, ndërkohë ajo ka marr vetëm 42 gjithësej, duke e patur të pamundur të plotësojë  nevojat e të sëmurëve.

Fiksi u interesua te kryevaksinatorja  Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kuçovë, Selvi Aliaj,  e cila sqaroi se në nëntor ka ardhur doza e parë prej 500 vaksina, e më pas 300 të tjera. Nevoja është 2000, por kaq ka qënë numri i dozave për 4 qëndra shëndetësore në Kuçovë. Që  prej nëntorit nuk ka pasur më furnizim me vaksina. Instituti i Shëndetit Publik lajmëron për vaksinat dhe kryevaksinatorja bën tërheqen, e më pas shpërndarjen e tyre.

Top Channel