OBSH korrigjoi sot vlerësimin e saj për kërcënimin e virusit, që u shfaq në Kinë, duke e cilësuar atë “të lartë” në nivel ndërkombëtar dhe jo më të moderuar, duke pranuar se kishte bërë një gabim formulimi në raportet e saj të mëparshme.

OBSH njoftoi më parë se rreziku ishte shumë i lartë në Kinë, i lartë në nivel rajonal dhe i moderuar në nivelin ndërkombëtar.

“Ishte një gabim në formulim dhe ne e korrigjuam atë”, tha një zëdhënëse e organizatës, me seli në Gjenevë, transmeton ATSH.

“Kjo nuk do të thotë absolutisht që ne kemi ndryshuar vlerësimin tonë për rrezikun, por që ky gabim është përfshirë në raportet e situatës”, shtoi ajo.

OBSH ka lëshuar gjashtë raporte të situatës që nga fillimi i krizës.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus mbërriti në Pekin për bisedime mbi shpërthimin e koronavirusit, konfirmoi zyra e OBSH-së në kryeqytetin kinez.

Tedros pritet të takojë përfaqësues të agjencive qeveritare dhe ekspertë të tjerë, të cilët janë të përfshirë në përpjekjet e menaxhimit të krizave.

Agjencia e shëndetit e OKB-së nuk dha informacione nëse Tedros po planifikon të vizitojë qendrën e shpërthimit në qytetin Wuhan.

Vitin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së vizitoi disa herë zonat e infektuara nga ebola në Kongo.

Top Channel