Ekspozita e Hasan Nallbanit/ Vjen në 85 vjetorin e lindjes së piktorit

27/01/2020 19:57

Mjeshtri i Madh, piktori Hasan Nallbani na sjell në 85 vjetorin e lindjes së tij këtë ekspozitë, ku shpërfaq disa nga punët e tij kryesisht me portrete njerëzish që përfaqësojnë gjithçka. Që nga mërzitja, rebelimi, trishtimi, buzëqeshja, gëzimi, sepse edhe vetë jeta është një ndërthurje e të gjitha këtyre. Megjithatë e përbashkëta e të gjithave sipas artistit është shqetësimi në portretet e tyre.

Hasan Nallabni:

Është marrëdhënia e përditshme me njerëzit, me jetën, me ata që të rrethojnë, të shoqërojnë. Me ata që ti i ke në kontakte miqësore dhe njerëz të urbanizmit. Të qytetit, jetës. Çfarë transmetojnë këto figura? Çfarë më përcjellin mua? Çfarë imazhi më japin edhe në aspektin ndjesor si ndihem..?

Prandaj edhe ekspozita quhet “Jetët e të tjerëve” Ai i sheh këto jetë si një vëzhgues i padukshëm. , pa i gjykuar. Thjesht zmadhon përmasat e këtyre fytyrave për ti bërë më të dukshme ndjesitë e tyre.

Hasan Nallbani:

Janë të përcjella nëpërmjet një qëllimi. Si do t’i përcjellësh? Ti japësh edhe në aspektin gazmor. Sepse jeta ka edhe aspekte të tilla. Varet në cilin këndvështrim dëshiron t’i shohësh.

Kemi dhe një nudo këtu, që duket sikur vëzhgon apo edhe e vëzhgojnë?

Hasan Nallbani:

Në këtë dopio rol është ajo. Edhe e vëzhgojnë, por edhe i vëzhgon. Nga turma ajo është një individ.

Figura e gruas ka qenë gjithmonë në qendër të krijimtarisë së Nallbanit. AI është një piktor që ka krijuar në dy kohë, ndërsa “Jetët e të tjerëve” ka punë kryesisht të tre viteve të fundit.

Ekspozita është kuruar nga Ajola Xoxa dhe Vladimir Myrtezai dhe qëndron e hapur në Galerinë Fab.

Top Channel