Një avion i Ryanair, i drejtuar për në aeroportin Stansted në Londër, është detyruar të bëjë një ulje emergjence pasi kabina u mbush papritur me tym të dendur.

Ndodheshin 169 pasagjerë dhe katër pjesëtarë të stafit në bordin e avionit që ishte nisur nga kryeqyteti rumun, Bukuresht, kur tymi mbushi avionin, pak pas nisjes në fluturim. Avioni, një Boeing 737-800 deklaroi një emergjencë dhe u rikthye në aeroportin Otopeni, ku pasagjerët zbritën në tokë, të trembur por pa dëmtime.

Më herët, pasagjerët ishin detyruar të prisnin për disa orë për shkak të një problemi me avionin e tyre dhe u desh të gjendej një avion tjetër për ti dërguar ata në Londër. Por edhe ky avion i dytë, pak pas nisjes, u detyrua të kthehej.
Tymi kish filluar të mbushte kabinën kur avioni ishte ngjitur në lartësinë e 1.5 km. Vetë pasagjerët e filmuan kabinën të mbushur me tym.

Kompania Ryanair, u detyrua kështu të gjente një avion të tretë për ti dërguar pasagjerët në Londër por 20 pasagjerë raportohet se ishin aq të traumatizuar sa që kishin refuzuar të udhëtonin me të. Bukureshti është përballur me temperatura të acarta këto kohë, me mërkurin në termometër nën zero, edhe pse nuk dihet nëse i ftohti ka luajtur një rol në vështirësitë e avionit. Sidoqoftë, një hetim ka nisur për të zbuluar shkaqet e incidentit.

Top Channel