Kur sfidohen dallgët në Nazare/ Surf, panik e guxim

22/01/2020 12:29

Nazare në Portugali është një prej vendeve më të preferuara për surfistët profesionistë të cilët ndjejnë adrenalinën të jetë në nivelet më të larta teksa marrin guximin të kapërcejnë dallgë që i kalojnë 10 m lartësi.

Ndonjë prej tyre edhe rrezikon jetën në këtë aventurë siç është rasti i sërfistit brazilian Felipe Cesarano. Ky i fundit teksa po kapërcente një dallgë prej 18 m e pa veten që përmbyset prej saj, por për fatin e mirë të tij, kjo ngjarje kaloi pa shumë pasoja me Felipe Cesaranon që doli në sipërfaqe i ndihmuar edhe nga shoku i tij i skuadrës Pedro Scooby Viana.

Por ka nga ata që ndonjëherë e tejkalojnë me guximin e tyre gjatë kapërcimit të dallgëve gjigante të Nazare. Është ky rasti i Kai Lenny i cili teksa nisi provën e tij në një dallgë prej 12 m filloi të bëjë akrobaci duke u rrotulluar 360 gradë me tavolinën e tij të surfit.

Në fund surfisti 27 vjeçar arriti të qëndrojë në këmbë dhe të mbyllë ushtrimin e tij duke bërë edhe një kërcim të lehtë për kënaqësinë e të pranishmëve. megjithatë në rrjetet sociale ky veprim i Lenny u kritikua teksa disa e cilësuan akrobacinë e tij një lëvizje shumë të guximshme teksa rrezikoi të mbytej nga dallga gjigante, ndërkohë që dikush tjetër këshilloi atë për më shumë kujdes, pavarësisht faktit se Lenny është një surfist profesionist.

Top Channel