Islamistët bllokojnë një film për moralin në Pakistan

22/01/2020 04:42

Autoritetet në Pakistan ndaluan përkohësisht publikimin e një filmi, që adreson moralin dhe jotolerancën në shoqëri, pasi pranuan ankesa nga një parti islamike. Filmi “Cirku i jetës” u miratua nga bordi i censurës i Pakistanit dhe do të publikohej më 24 janar, por ai u kritikua fuqishëm nga partia Tehrik-e Labaik (TLP).

TLP kërkoi nga qeveria bllokimin e filmit dhe tha se do të organizojë protesta kundër tij. “Filmi është blasfemik dhe nuk duhet të dalë fare”, tha zëdhënësi i TLP-së, Pir Zubair Kasuri.”Filmi do të shqyrtohet më 3 shkurt”, tha përmes një deklarate qeveria e provincës Punxhab dhe shtoi se vendimi i tillë është marrë pas ankesave të vazhdueshme të grupeve të ndryshme.

Regjisori Sarmad Khoosat shkroi në Twitter se ka marrë dhjetëra kërcënime përmes telefonit, për shkak të filmit. Copëza të filmit që janë publikuar në YouTube, janë fshirë. Sipas tyre, filmi tregon se si keqpërdoret Ligji i blasfemisë në Pakistan.

Blasfemia është një çështje e ndjeshme në këtë vend dhe ata që akuzohen për të, mund të bëhen shënjestra të grupeve radikale myslimane. TLP-ja ka qenë në krye të protestave në vitin 2018, kur Gjykata e Lartë e Pakistanit ka përmbysur dënimin me vdekje të Asia Bibit, një grua e krishterë, e cila është akuzuar për ofendimin e profetit mysliman Muhamed./REL

Top Channel