Fier/ Protesta kundër OSHEE-së, Baçi: Banorët po vidhen ngado pa mëshirë

22/01/2020 10:51

Banorët e Povelçës në Fier protestuan sot kundër OSHEE- së për faturat e energjisë pas ndërrimit të matësve të energjisë.

Nga protesta ka folur edhe kryetari i degës së PD së Fierit Luan Baçi.

“Është një abuzim shumë i rëndë me matësit e energjisë elektrike. Matësit janë hequr nga OSHEE pa paralajmërim, janë montuar sahate të rinj dhe u kanë faturuar afrofe energji elektrike në shuma të konsiderueshme lekësh. Kjo është një vjedhje e hapur. Bëhet për të mbuluar deficitet e tyre”, – u shpreh kreu i degës së PD Fier, Luan Baçi, i cili tha se revoltë për vjedhjet dhe padrejtësitë e shtetit kanë edhe banorët e Hoxharës dhe Darzesës.

“Në Darzezë ka një bojkot nga nxënësit, pasi qeveria u prishi shkollën në mënyrë abuzive, pa dhënë prova se u dëmtua nga tërmeti. Transporti për nxënësit është i pasiguruar”- tha zoti Baçi.

Ish deputeti Luan Baçi denoncoi si selektiv dhe të padrejtë aksionet e tatimorëve 3 ditët e fundit në Fier.

“Janë lëshuar mbi bizneset e qytetit si hordhi, duke i gjobitur në mënyrë selektive, duke i ndarë qytetarët sipas bindjeve partiake apo pjesëmarrjes në protesta, kanë vënë gjoba marramendëse kundër bizneseve që nuk janë në shkelje të ligjit”- u shpreh zoti Baçi.

Top Channel