SHBA, avokatët e Presidentit paraqesin argumentet në Senat

21/01/2020 03:24

Avokatët e Presidentit amerikan Donald Trump kritikuan ashpër çështjen gjyqësore për shkarkimin e tij, duke e quajtur një “perversion të rrezikshëm të Kushtetutës”. Ata thanë se ai nuk bëri “absolutisht asgjë të keqe” kur i kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar politikisht.

Avokatët thanë se ligjvënësit demokratë që kërkojnë me ngulm shkarkimin e Presidentit, nuk synojnë të gjejnë të vërtetën rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë, por e bëjnë këtë në një farë mënyre për të skualifikuar zgjedhjen e zotit Trump në vitin 2016 dhe për të ndërhyrë në fushatën e tij për t’u rizgjedhur në garën e këtij viti.

Në një përmbledhje argumentesh gjyqësore që dorëzuan të hënën, një ditë përpara seancës së parë të gjykimit të presidentit Trump në Senat, avokatët e quajtën çështjen e ngritur nga demokratët kundër tij “një tradhti kushtetuese” dhe thanë se Senati duhet ta lirojë pa vonesë presidentin nga dy akuzat me të cilat ai përballet. Njëra akuzë thotë se ai shpërdoroi pushtetin, duke i bërë presion presidenttn ukrainas Volodymyr Zelenskiy të hetonte njërin prej sfiduesve të tij më të fortë demokratë për zgjedhjet e 2020-s, ish nënpresidentin Joe Biden. Sipas akuzës tjetër, presidenti pengoi Kongresin të shqyrtonte veprimet e tij në Ukrainë.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se “dëshmitë provojnë në mënyrë dërrmuese” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat e ngritura në procesin kundër tij.

Juristët e zotit Trump, në dosjen e tyre prej 110 faqesh, pohojnë se Presidenti Trump po zhvillonte normalisht politikë të jashtme në bisedat me presidentin Zelenskiy.

Ata thonë se ai nuk ka kryer asnjë krim, edhe pse shpallja fajtor dhe shkarkimi i një presidenti të SHBA nuk varet nga një shkelje specifike e një ligji penal. Përkundrazi, gjithçka varet nga ajo se si të 100 anëtarët e Senatit, duke luajtor rolin e jurisë, interpretojnë standardin e shpalljen fajtor siç përcaktohet në Kushtetutë, nëse një president ka kryer “krime të larta dhe shkelje”.

Pavarësisht nga argumentet ligjore pro dhe kundër zotit Trump, ai me siguri do të shpallet i pafajshëm nga Senati me shumicë republikane, ku për shkakrimin e tij do të duhet të votonin dy të tretat e senatorëve.

Në një rast të tillë, të paktën 20 nga të 53 republikanët e Senatit do të duhet t’u bashkoheshin të 47 demokratëve për ta shpallur fajtor Presidentin Trump. Deri tani, asnjë republikan nuk ka kërkuar shkarkimin e tij.

Shtëpia e Bardhë parashikon se Presidenti do të shpallet i pafajshëm brenda dy javësh, por gjyqi mund të zgjasë shumë më shumë se kaq, nëse demokratët arrijnë të bindin katër republikanë të bashkohen me ta në kërkesën për të ftuar në gjyq si dëshmitarë disa nga ish-ndihmësit kryesorë të presidentit Trump./VOA

Top Channel