Dëbimi nga Shqipëria, turkut Çelik iu mohua ankimimi

21/01/2020 17:02

Urdhri i dëbimit i nxjerrë nga autoritetet shqiptare ndaj shtetasit turk Harun Çelik, ngre dyshime të forta se atij ju mohua hapur e drejta e ankimimit siç parashikon legjislacioni shqiptar.

Dokumenti, një kopje e të cilit është siguruar nga Zëri i Amerikës, është firmosur nga Enkeleda Toska, Drejtore për Kufirin dhe Emigracionin në Tiranë në datën 1 Janar të këtij viti, në të njëjtën ditë kur ai u lirua nga burgu ku po vuante dënimin për “falsifikim dokumentash”.

Urdhri saktëson se Harun Çelik “nuk plotëson kushtet e nevojshme për qëndrim” duke ju referuar Nenit 109/a të Ligjit shqiptar për të Huajt. Sipas këtij neni, masa e dëbimit, merret ndaj të huajit i cili “ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin Republikës së Shqipërisë dhe ka të dhëna se do të përdorë territorin e saj për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të tjera”.

Në fakt, Çelik, ka hyrë në mënyrë të rregullt në Shqipëri, në kufirin tokësor me Kosovën. Ai u kap më pas në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, ndërsa po përpiqej të merrte fluturimin drejt një destinacioni tranzit me qëllim mbërritjen në Kanada, pasi kishte një vizë kanadeze të falsifikuar. Ajo që bën përshtypje në Urdhrin e dëbimit është urgjenca për ta larguar atë nga Shqipëria, në ditën e parë të vitit, kur të gjithë janë pushim, thotë VOA. Edhe pse afati për largimin nga territori është më shumë se 0 ditë nga data e marrjes së njoftimit, urdhri i dëbimit, e njeh megjithatë të drejtën e ankimimit.

Top Channel