Ralf Gjoni, deputet i opozitës së re ishte i ftuar në takimin e Komisioneve Evropiane të BE-së (Cosac) në Zagreb, nga ku u shpreh se “procesi i zgjerimit të Unionit duhet të jetë i besueshëm dhe jo thjesht retorikë”

Fjala e deputetit Ralf Gjoni në takimin e  Komisioneve Evropiane të BE-së (Cosac) në Zagreb:

“Në 2013 në Selanik, vendet e BE u zotuan për “Perspektivë Evropiane” të Ballkanit. 15 vjet më vonë, në Samitin e Sofjes, vendet anëtare ripërsëritën angazhimin e tyre për “Perspektivën Evropiane” të Ballkanit. Vjet, ia përplasën derën në fytyrë si Shqipërisë, ashtu edhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar, por kjo nuk justifikon aspak mos-hapjen e negociatave. Përkundrazi, procesi i negociimit do të ndihmojë në luftimin e autokracisë, izolimin e aseteve kriminale në politikë dhe forcimin e demokracisë në vendin tonë. Integrimi nuk është karamele për qeverinë e radhës në pushtet.

Nëse vendet e BE-së nuk tregohen ‘smart’ gjatë Presidencës Kroate, ata do të krijojnë një vakum të madh e të dëmshëm për rajonin tonë dhe për vetë hapësirë evropiane në dy fronte. Në frontin e parë, miqtë tanë evropianë nuk duhet të injorojnë influencat e huaja si Rusia, një vend që pret të penetrojë në rajon, dhe as fuqi të tjera të lindjes që po rrisin prezencën e tyre. Nga ana tjetër, në frontin e brendshëm, mungesa e vizionit të BE-së për Ballkanin, do të krijojë hapësira për veprim në favor të forcave të errëta të brendshme politike autokrate, nacionaliste dhe religjioze në natyrë.

Ne nuk kemi nevojë thjesht për ‘Perspektivë Evropiane’ dhe për retorikë. Qytetarët tanë kanë nevojë për një axhendë të qartë se kur do të hapen negociatat për anëtarësim dhe për angazhim të fortë nga ana e BE-së ndaj zhvillimit demokratik të vendeve tona. BE duhet të tregohet vizionare dhe strategjike në përqasjen ndaj të ardhmes së Unionit. Në praktikë, kjo përkthehet me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë vit, gjatë Presidencës Kroate së Bashkimit Evropian.

Koha që Bashkimi Evropian të vendosë paratë atje ku ka gojën!”

Top Channel