Një pjesë e banorëve të fshatit Floq kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të tyre lidhur me pasojat e tërmetit të shkaktuara në 1 qershor të vitit të kaluar.

Ndërkohë që në këtë fshat dhjetëra banesa u rindërtuan duke i dhënë zgjidhje familjeve që mbetën pa strehë, shumë familje të tjera do të përfitonin kompensimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e tyre. Por ende për këtë kategori familjesh ka vonesa me kompensimin e dëmeve të shkaktuara. Përballë kësaj situate banorët janë mbledhur para prefekturës së Korçës, ndërsa deklarojnë se me të ardhurat e tyre e kanë të pamundur të riparojnë dëmet e shkaktuara në banesa. Ndaj edhe për këtë kanë kërkuar ndërhyrjen e prefektit të qarkut të Korçës, pasi jetojnë në kushte jo normale.

Nga ana tjetër sipas të dhënave të prefekturës këshillat bashkiakë të Korçës, Devollit dhe Kolonjës i kanë miratuar listat përfundimtare lidhur me dëmshpërblimin e 553 familjeve të cilat kanë pësuar dëme më të lehta nga tërmeti i 1 qershorit, të cilat sipas ligjit duhet të dëmshpërblehen në masën 50% të dëmeve të pësuara./Dhorjela Cule/

Top Channel