Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bazuar në letrat e synimeve të nënshkruara sot në Berlin, ka mirëpritur qëllimin e Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm, i cili do ta bëjë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave më të lehtë dhe të shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, komandanti i misionit tonë të KFOR-it e ka autoritetin e hapësirës ajrore mbi Kosovë dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit afatgjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin e udhëheqim ne”, është shprehur Stoltenberg.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Serbia, nga ana e saj, ka bërë të ditur se linja ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës mund të realizohet me të vërtetë, nëse hiqet taksa 100 për qind të mallrave dhe të fillojë dialogu me ndërmjetësimin e BE-së.

Top Channel