Drejtori i përgjithshëm i BBC, Tony Hall, do të dorëhiqet në verë – njoftoi të martën transmetuesi britanik.

Në një mesazh drejtuar stafit, në të cilin shpjegonte vendimin e tij, Hall tha se do të largohej në mënyrë që të lejonte një ekipi të ri drejtuesish të çonin përpara organizatën. BBC është një rrjet i financuar publikisht dhe formati i tij rishikohet çdo 11 vite nga qeveria britanike. Pas largimit nga transmetuesi, Hall do të bëhet kryetar i bordit të galerisë kombëtare. Ai ka shërbyer në këtë bord që nga nëntori 2019.

“Ka qenë një vendim i vështirë për mua. Unë e dua BBC. Jam i dhënë pas vlerave dhe rolit që ne kemi në vend dhe pas asaj që ne bëjmë globalisht”, shkruante Hall në letrën e tij.

BBC po përballet me një mori polemikash për shkak të hendekut të pagave mes gjinive, që është hetuar madje edhe nga komisioni për barazinë dhe të drejtat e njeriut në Britani. Të hënën, një prezantuese radiofonike, Sarah Montague, zbuloi se ajo kishte arritur një marrëveshje 520 mijë dollarëshe me BBC për pagën dhe se organizata i kishte kërkuar asaj ndjesë se e kishte trajtuar në mënyrë të padrejtë për vite. Sipas sondazheve, BBC nuk është më burimi më i besueshëm i lajmeve në Britani. 69 për qind e të anketuarve, thonë se ata i besojnë pjesërisht BBC. Kjo është më pak se 73 për qind e të anketuarve që thanë se i besojnë burimeve rivale të BBC, si ITV News, por pak më shumë se 55 për qind i besojnë “Sky News”.

Top Channel