Katër subjekte politike shqiptare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Serbi, që njihet si Lugina e Preshevës, janë marrë vesh që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti.

Arritja e marrëveshjes sipas tyre është pikënisje për të synuar fuqizimin e zërit të votuesve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Marrëveshja ndërmjet Partisë për Veprim Demokratik, Alternativës për Ndryshim, Lëvizjes për Progresin Demokratik dhe Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, është arritur të enjten, në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Shqipërim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, i cili vjen nga radhët e Alternativës për Ndryshim, thotë se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, qëllimi i liderëve të këtyre partive politike është që problemet që ekzistojnë në Luginën e Preshevës, për të cilat jo rrallë vet këta liderë janë grindur mes vete, ato t’i bartin në Parlamentin e Serbisë.
“Ideja është që shqiptarët në Parlamentin e Serbisë, në 10 apo 12 vjetët e fundit, prej kur kanë filluar të marrin pjesë aty në këtë dekadë të këtij shekulli, nuk kanë qenë të përfaqësuar, jo vetëm me numër të mjaftueshëm, por as me kualitetin e mjaftueshëm. Tash është një tjetër situatë. Unifikimi mund të sjellë tre deri në katër deputetë, që e mundëson një grup parlamentar prej 5 deputetësh, duke përfshirë edhe një minoritet tjetër, në Parlamentin e Serbisë. Pastaj, do të fillojmë ta sjellim kualitetin, të cilin e kërkojmë për shumë vite, për të mos thënë dekada”, tha Arifi.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, thotë se aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë vetëm një ulëse në Parlamentin e Serbisë. Në legjislaturat e mëhershme të këtij shteti, sipas tij, ka pasur edhe deputet tjerë shqiptarë, por të paktë dhe të cilët, përveç sensibilizimit të problemeve të shqiptarëve, nuk kanë arritur të imponojnë ndonjë zgjidhje për ato probleme, për shkak të mungesës së kapaciteteve demokratike në Serbi.

“Kësaj radhe, kur pritet që opozita në serbi t’i bojkotojë zgjedhjet, kur pritet që bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë pas krijimit të qeverisë në Prishtinë, ne mendojmë– dhe kjo ishte edhe ideja e Tiranës – që fuqizimi i zërit politik të shqiptarëve në parlament do ta ketë një rëndësi dhe një peshë të përfaqësimin e problemeve tona atje. Kjo, për ta detyruar, në radhë të parë Beogradin, duke kërkuar ndihmën edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e sigurisht edhe nga Tirana dhe Prishtina, që këto probleme të marrin kahen e zgjidhjes, sepse është krijuar një situatë e pashpresë këtu në Luginën e Preshevës”, theksoi Kamberi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Armend Muja, thotë se marrëveshja e arritur ndërmjet partive politike në Luginën e Preshevës për unifikimin e një liste zgjedhore për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Serbi, është një përpjekje në drejtimin e duhur, e cila ka gjasa reale që të konkretizohet.
“Unë këtë e shoh si përpjekje, në vazhdën e një serie të përpjekjeve që kanë qenë, sikurse te korpuset politike të shqiptarëve në Mal të Zi më herët dhe më pas, tash edhe në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Megjithatë, për ndryshim nga Mali i Zi, ku faktori shqiptar shpeshherë është përcaktues, këtu influenca e tyre gjithsesi, marrë parasysh edhe shtrirjen e tyre të vogël në trupin zgjedhor, do të jetë e vogël. Mirëpo, e rëndësishme është si platformë e unifikimit të qëndrimeve kyçe nacionale për sa u përket të drejtave të tyre në Luginë dhe unë mendoj se kjo është një iniciativë e rëndësishme”, u shpreh Muja.

Marrëveshjen e partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e ka përshëndetur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se i mirëpret “marrëveshjen për krijimin e një liste të unifikuar elektorale të partive shqiptare në Luginën e Preshevës, si një mjet i rëndësishëm për fuqizimin politik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, në vitin 2016, partitë politike të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përveç Partisë për Veprim Demokratik, nuk morën pjesë në garën zgjedhore për shkak të siç kishin deklaruar, pakënaqësisë për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve në Serbi.

Në Parlamentin e Serbisë, që ka 250 deputetë, Ardita Sinani u zgjodh si përfaqësuesja e vetme shqiptare. /REL

Top Channel