Plagoset rëndë piloti holandez, ndizet gara për titullin

17/01/2020 23:52

Pas aksidentit të frikshëm që i kushtoi jetën Paulo Goncalves në etapën e 7-të, Rally Dakar regjistroi një tjetër aksident ku mbeti i plagosur rëndë një pilot.

Në ndalesën e 11-të të garës saudite, holandezi i skuadrës së KTM, Edwin Straver, humbi kontrollin e motorit dhe u përplas dhunshëm. Tani 48-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë dhe, sipas mjekëve, në spitalin e Riadit, situata është kritike, pasi vuajti një infarkt kardiak dhe thyerjen e një vertebre cervikale.

Etapa e 11-të e Rally Dakar rihapi ndërkohë diskutimin për titullin final te motorët, pasi suksesi i kilianit Pablo Quintanilla ka zvogëluar me 12 minuta hendekun e tij me kryesuesin Ricky Brabec.

Edhe te makinat është ringjallur diskutimi për titullin kampion falë veteranit Stephane Peterhansel. Francezi, që po finalizon edicionin e 14-të në karrierën e tij në shkretëtirë, preu finishin i pari dhe tani është 10 minuta kohë larg liderit në renditjen e përgjithshme Carlos Sainz dhe vetëm 6 sekonda diferencë nga vendi i dytë.

Top Channel