NBA, 10 humbje rresht për Golden State, “buzëqeshin”, Nuggets, Clippers e Bucks!

17/01/2020 17:50

Vijon rënia e lirë e Golden State Warriors. Skuadra që ka bërë ligjin në 5 vitet e fundit në NBA duke fituar tre tituj kampion pësoi disfatën e 34-t sezonale në 43 takime dhe të 10-ën rresht me Golden State që po djeg që në gjysmën e sezonit të rregullt çdo mundësi për të kapur fazën play-off.

Këtë herë Golden State u mposht në Chase Arena në San Francisco nga Denver Nuggets me rezultatin e ngushtë 131-134 pas kohës shtesë. Barton me 31 pikë dhe Beasley me 27 ishin dy lojtarët më të mirë mbi parket për skuadrën nga Colorado të cilët bënë diferencën në këtë sfidë.

Nuk pati të njëjtin fat si ndaj Los Angeles Lakers edhe ndaj Los Angeles Clipper, skuadra e Olrando Magic që këtë herë u mposht në Staples Center nga skuadra tjetër kaliforniane me rezultatin e thellë 122-95. Kawhi Leonard ishte ai që udhëhoqi Clippers drejt fitores së 29-të sezonale me 32 pikë 5 rebound dhe 5 asiste.

Vijon forma perfekte e Milwaukee Bucks që siguroi fitoren e 31-të në 34 ndeshjet e fundit teksa kaloi me shifrat e ngushta 128-123 Boston Celtics. 40 pikë 11 rebound dhe 3 asiste nga Kemba Walker ishin të pamjaftueshme për Celtics ndërkohë që diferencën e bëri i përhershmi Giannis Antetokounmpo i cili realizoi 32 pikë ndërsa shtoi edhe 17 rebound e 7 asiste në suksesin e Bucks.

Një ndeshje spektakolare ishte edhe ajo që u zhvillua në Smothie King Center në New Orleans aty ku Pelicans mposhtën pas kohës shtesë Utah Jazz me shifrat 138-132. Thjeshtë magjik në këtë sfidë 22-vjeçari Brandon Ingram i cili koleksionoi 49 pikë për Pelicans, ndërkohë që për Utah spikati i përhershmi Mitchell me 46 pikë.

Top Channel