Lavrov fajëson SHBA-të për rritjen e tensioneve në nivel botëror

17/01/2020 17:56

Ministri i Jashtëm në detyrë i Rusisë, Sergey Lavrov, ka fajësuar politikat “agresive” të SHBA-së për rritjen tensioneve në nivel botëror, e i bëri thirrje Washingtonit dhe Teheranit t’i zbusin raportet ndërmjet tyre.

Duke folur në konferencën e tij vjetore për media më 17 janar, Lavrov e cilësoi rrëzimin e avionit ukrainas nga ana forcat iraniane të mbrojtjes ajrore, si një sinjal paralajmërues për të filluar qetësimin e situatës.”Një rritje e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e asnjerës prej krizave në rajon”, tha Lavrov.

Rrëzimi i avionit në 8 janar, vrau 176 personat në bordin e tij.Tragjedia ndodhi disa orë pasi Irani goditi me raketa balistike dy baza që strehonin forcat e SHBA-së në Irak, si përgjigje ndaj vrasjes së komandantit të lartë iranian, Qasem Suleimani, nga një sulm ajror amerikan.Autoritetet iraniane fillimisht mohuan çdo përgjegjësi, por tre ditë pas incidentit pranuan se avioni u qëllua “pa dashje”.

Lavrov tha se ai nuk po nxirrte “justifikime për askënd”, por operacioni “i pashembullt” i SHBA-së “minoi dhe vuri në dyshim të gjitha normat e ligjit ndërkombëtar.” Lavrov gjithashtu kritikoi Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për nxitjen e një mekanizmi përçarës, sa i përket marrëveshjes bërthamore ndërmjet Iranit dhe fuqive globale. Partnerët evropianë nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë Teheranit një zgjidhje për të shitur naftën e papërpunuar jashtë vendit, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së. Kjo situatë ka bërë që vlera e monedhës së Iranit të bjerë, duke ngritur nivelin e inflacionit.

Top Channel