Merkatoja e kryeqytetit, afrime jo thjesht për numër

16/01/2020 20:27

Merkato e vështirë për skuadrat e kryeqytetase. Tirana e Partizani qëndrojnë në radhën e parë të pretendentëve për titull, bashkë me Kukësin, por ndryshe nga verilindorët iu duhet të ndërhyjnë në merkato. Megjithatë, deri më tani, në gjysmë të janarit, lëvizjet kanë qenë me pikatore.

Rikthim i Mario Morinës te Tirana, një kalim sensacional i Dorian Kërçikut te Partizani, afrime, që në fakt, nuk është se kanë qenë prioritet absolut i merkatos. Diçka më i rëndësishëm për të kuqtë mbrojtësi i krahut të djathtë, një pozicion për të rritur konkurrencën, në kërkim të një pike stabël, ndërsa për Tiranën bëhet fjalë për një okazion për t’iu përgjigjur dëmtimit të Dungas, edhe pse emrat në dispozicion të Emanuel Egbosë, janë të shumtë.

Prioritetet e vërteta janë të tjera, një sulmues për Partizanin, një qendërmbrojtës për Tiranën. Të kuqtë, edhe në miqësoret turke në epokën “Sormani 2” konfirmojnë mungesën e golit. Solomon e Brown nuk po gjejnë dot shkëndijën shpërthyese dhe shtoji këtu largimin e Asanit dhe Malën e divorcuar në shtëpi, të kuqve u duhet një “bomber”.

Vështirësitë e merkatos kushtëzojnë, drejtuesit duan vetëm dikë që të bëjë diferencën, idendikit i vështirë për t’iu përgjigjur opsioneve që ofron janari, muaj ku, gjithsesi, drejtuesit do ta provojnë deri në fund.

Tirana ka nevojë për qendërmbrojtës, lojtarë roli ka vetëm Tefik Osmanin dhe Gentian Muçën, ka provuar aty Kristi Vangjelin dhe mund ta bëjë edhe Hoxhallari, por një sezon ku synohet maksimumi nuk mund të përjetohet në improvizim. Drejtuesit e kanë të qartë, megjithatë edhe te Tirana kujdesi është në rend të ditës, nuk mund të dështohet ndaj edhe synimet e klubit janë për lojtarë të aftë dhe që mund të integrohen menjëherë. E vështirë, ashtu si për sulmuesin e Partizanit, tani merkatoja nuk bëhet më sa për numër, të paktën këtë klubet e kanë kuptuar.

Top Channel