Fisi Mlika: “Shteti po ndërton rrugë me asfalt në zonë të mbrojtur, firma ka dalë nga projekti”

Në zonën e mbrojtur Kune- Vain, Ministria e Turizimit është duke zbatuar ndërtimin e projektit të rrugës që kalon përmes lagunës. Sipas pronarëve të tokës, firma po del nga projekti duke e zgjeruar artificialisht rrugën. Administratori i kësaj zone, Agjensia për mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura nuk ka qenë dakord që rruga të shtrohet më asfalt, por e ka miratuar në heshtje.

Fiks Fare rreth 2 vite më parë denoncoi tjetërsimin e pronave  në  zonën  e mbrojtur në Kune – Vain, Lezhë. Rreth 500 mijë m2 zonë e mbrojtur,  rezultoi të ishte ndarë me ligjin 7501. Fill pas publikimit të këtij skandali, prokuroria regjistroi kryesisht një proçedim, për veprën penale Falsifikim i Dokumenteve dhe Shpërdorim Detyre. Pas dy vjetësh, hetimet nuk kanë përfunduar akoma pasi pritet akti i ekspertimit.

Fisi Mlika, i cili sipas Vendimit të Kthimit dhe Kopensimit të Pronave i është njohur dhe kthyer kjo sipërfaqe toke, për pjesën e kthyer ata disponojnë edhe çertifikatën e pronësisë. Por pavarësisht luftës me privatin edhe shtetin kjo pronë është tjetërsuar dhe sot,  ata kanë zgjedhur t’i drejtohen sërish emisionit Fiks Fare, për një tjetër problem por sërish në lidhje me këtë pronë. Sipas përfaqësuesit të fisit Mlika, Ardian Mlika, në këtë pronë nga Ministria e Turizmit është duke u zbatuat projekti i ndërtimit të rrugës ekzistuese që kalon nëpër këtë lagunë. Ata pretendojnë që nuk janë informuar fare për këtë projekt dhe  që gjatë ndërtimit firma po del nga projekti, duke shtuar në mënyrë artificiale gjerësinë e rrugës, sidomos në pjesët ku ka lokale dhe duan të shtrojnë parkim.

Disa prej pronarëve, janë gjendur para faktit, kamionëve që hynin dhe dilnin në zonë të mbrojtur dhe hidhnin çakull, pa vendosur të paktën një tabelë informuese. Ata kanë filmuar disa nga punonjësit e firmës së ndërtimit që pretendon se është marrë vesh edhe me drejtorin e zonës së mbrojtur, që edhe po dolën një metër majtas, e një metër djathtas rrugës nuk ka problem. Ata gjithashtu dëgjohen të debatojnë për tabelën që nuk është vendosur akoma dhe për parkimet që i janë kërkuar të shtrohen nga lokalet që ndodhen në zonë.

Fiks fare pas kësaj ankese, u nis drejt zonës së mbrojtur Kune- Vain.  Fiksi mësoi se ndërtimi i kësaj rruge është një investim i Ministrisë së Turizmit, dhe në përfundim, pritet të rrisë numrin e turistëve në këtë zonë të mbrojtur. Sipas projektit të dërguar nga Bashkia Lezhë, ndërtimi do të bëhet mbi gjurmën e rrugës ekzistuese  dhe bashkë me korsinë e biçikletave do të jetë 5.20 cm e gjerë.

Gazetarët e Fiksit, gjatë ushtrimit të detyrës, kur po kryenin filmime të rrugës dhe ndërtimit të saj, u  ndaluan nga një punonjës i policisë pyjore të zonës së mbrojtur. Ai me arrogancë dhe shpejtësi ndaloi automjetin përpara makinës me të cilën po udhëtonte grupi i xhirimit. Duke rrezikuar seriozisht jetën e operatorit që në ato momente po fuste kameran në automjet.

Ky punonjës, i cili bëri debat me punonjësit e Fiksit pretendoi se gazetarët nuk mund të filmonin një rrugë shtetërore pa i marrë më parë leje atyre dhe pa shpjeguar arsyen e filmimit. Pashk Ndoka prej vitesh është punonjës i Policisë Pyjorë të Zonës së Mbrojtur, zonë të cilën paguhet për ta mbrojtur, por që edhe vet rezulton sipas dokumentacionit në listën e personave që pikërisht në këtë zonë, kanë ndërtuar pa leje.

Për sa ai takon sjelljes së punonjësit të Policisë Pyjore të zonës së mbrojtur, dhe ndërtimit të tij pa leje, drejtuesi e zonave të mbrojtura Zamir Dedej, sqaroi për Fiksin se nuk kishte  dijeni për sjelljen e tij dhe nuk e kuptonte dot përse e ka bërë. “I kam tërhequr vërejtje për momentin dhe kam kërkuar më shumë sqarim për çështjen. Përsa i përket ndërtimit privat unë nuk kam pasur dijeni, por di që pas vitit 2010 atje nuk ka asnjë ndërtim pa leje .Pas informacionit të marrë për rastin që pyesni kuptova se bëhet fjalë për një ndërtim rreth 80 m2 i ndërtuar në 1996, për të cilën z. Ndoka pretendon se ka çertifikatën e pronësisë së tokës.” shton ai në përgjigen më shkrim.

Projekti i rrugës dhe “heshtja e institucioneve”

Sipas Bashkise Lezhë që ka miratuar edhe lejen e ndërtimit, Rruga do të jetë  rreth 4 km e gjatë dhe  5.2o m e gjerë. Nga të cilat :

  • Bankine me cakull =0.5 meter;
  • Trupi I rruges = 3.0 meter (Shtrese beton arme e stampuar);
  • Bordure Betoni =0.3 m;
  • Korsia e bicikletave =1.2 meter (asfaltobeton me ngjyre);
  • Mur betoni =0.2 meter.

Gjatë kësaj periudhe investigimi të Fiksit, jo të gjitha institucionet kanë dhënë pëlqimin e tyre për ndërtimin  e kësaj rruge, me të tilla parametra.  Sipas përgjigjes zyrtare të Bashkisë Lezhë, shumica e institucioneve e kanë miratuar në heshtje, pra duke mos kthyer përgjigje. Një ndër to, ishte edhe  Drejtoria e Zonave të Mbrojtura që e ka direkt nën administrim këtë sipërfaqe.  Zamir Dedej drejtori i i këtij institucioni, i kontaktuar nga Fiksi është shprehur se ata kanë kërkuar rehabilitimin e kësaj rruge, por kanë qenë kundër shtrimit të saj me asfalt.

Një tjetër institucion që e ka kaluar miratimin në heshtje është edhe Drejtoria e Kadastrës, Lezhë. Në përgjigjen e bashkisë, thuhet se Drejtoria e Kadastrës  nuk është shprehur  për problematika të pronave apo  prona private që mund të jenë në gjurmën e rrugës. Fiksi kontaktoi me drejtorin  e Kadastrës i cili në përgjigjen zyrtare pretendon sa kanë qenë shumë të ngarkuar për shkak të verfikimeve në terren pas tërmetit të 26 nëntorit. Në një paragraf të përgjigjes ai cilëson se fakti që këto pasuri janë nën hetim apo të sekuestruara nga prokuroria, nuk përbën shkak për mosmiratimin e lejes së ndërtimit që është për një qëllim publik, por gjithashtu shprehet se nga  “nga studimi i dokumentacionit të hedhur në portalin e.leje, projekti dhe harta e zonës janë në  shkallë shumë të vogël,  dhe e  bën të pamundur përcaktimin e pronave të cilat preken nga ky projekt. Duke kundërshtuar kështu vetveten brenda të njëjtës përgjigje, pasi edhe pohon se këto prona janë nën hetim nga prokuroria, por nga ana  tjetër nuk ka dijeni se cilat prona preken.

Tjetërsimi i pronës dhe proçedimi penal i prokurorisë

Fiks Fare rreth 2 vite më pare denoncoi tjetërsimin e pronave  në  zonën  e mbrojtur në Kune – Vain, Lezhë. Rreth 500 mijë m2 zonë e mbrojtur,  rezultoi të ishte ndarë me ligjin 7501. Fill pas publikimit të këtij skandali, prokuroria regjistroi kryesisht një proçedim, për veprën penale Falsifikim i Dokumenteve dhe Shpërdorim Detyre. Pas dy vjetësh, hetimet nuk kanë përfunduar akoma pasi pritet akti i ekspertimit.

Gjatë kësaj periudhe  në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, përfundoi hetimi i dosjes  së famshme 399. Në këtë dosje,ndër të tjera, nga telefonatat e regjistruara dhe personat nën përgjim është faktuar edhe tjetërsimi dhe falsifikimi i dokumentacionit nga personat nën hetim Mimoza Ndoka, Gjevi Ndoka, Arben Ndoka  etj. Të njëjtat emra që kanë dalë në pah edhe gjatë investigimit të Fiksit, për tjetërsimin e pronave në Kune Vain.

I pyetur nëse ka patur ndonjë bashkëpunim mes Prokurorisë Lezhë dhe asaj të Krimeve të Rënda, Drejtuesi i  Prokurorisë Lezhë Milan Laskaj fillimisht përgjigjet se në dijeninë e tij ka patur komunikim për këtë çështje. Por në përgjigjen e dytë kjo pyetje anashkalohet. Duke u shprehur se  nga prokuroria në funksion të hetimit të këtij procedimi janë sekuestruar të gjitha praktikat e regjistrimit në Z.V.R.P.P. Lezhë të cilat janë dërguar për ekspertim etj. Hetimet për këtë procedim penal për shkak të volumit, numrit të personave të përfshirë etj është në fazë hetimi. “Në përfundim të hetimeve do ju informojmë me shkrim mbi mënyrën e përfundimit” përfundon shkresa zyrtare nga Prokuroria e Lezhës.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel