“Gjetëm dakordësi për dy objektiva madhore”/ Basha flet pas takimit me Komisionerin për Zgjerim

16/01/2020 16:57

Pas takimit me euro-komisionerin për zgjerim, Olivér Várhelyi, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një deklaratë për shtyp ku i mëshoi faktit se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që bëri me dijeni se me Várhelyi-n diskutuan sa i takon zgjidhjes së krizës politike në vend.

“Më prezantoi me strategjinë që do paraqes ai, strategji që unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin”, tha Basha.

Më tej shtoi:

“Mirëprita ndihmën e BE-së, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim; të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara. Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike.”

Top Channel