Kupa e Kombeve të Afrikës për vitin 2021 do të zhvillohet në periudhën e dimrit, dhe vendimi i paralajmëruar do të ratifikohet në kongresin e ardhshëm të Konfederatës që do të mbahet në Marok pas dy javësh. Turneu që mbledh kombëtaret më të mira të kontinentit, sipas organizatorëve është spostuar për shkak të sezonti të reshjeve të shiut në vendin organizator, por në të vërtetë motivi është një tjetër.

Afrikanët kanë frikë se kështu do të mund të evitohet konkurrenca me botërorin e ri të Klubeve që do të zhvillohet nga 17 qershor deri në 4 Korrik, e nëse do të ishte kështu, do të varfërohej turneu nga ikja e sponsorëve apo përgjysmimi i të drejtave televizive. Kameruni të cilit i është besuar edhe vitrina e futbollit në Afrikë, kishte rrezikuar madje edhe të ndante detyrat për shkak se impianti kryeqytetas ku do luhet finalja, ende nuk është kompletuar.

Fillimisht ishte kontraktuar një kompani italiane për finalizimin e projekteve komplekse me vlerë 250 milionë Euro, por vonesa në punime dhe pagesat e prapambetura për vendasit, bënë që Kameruni të revokonte edhe lejen. Tani në skenë për stadiumin e ri të finales në Kupën e Kombeve kanë zbritur kanadezët me zotimin se do ta mbarojnë para afatit dhe projekti do të jetë më i bukur.

Top Channel