Cilat janë arsyet që i shtyjnë drejt divorcit shqiptarët? Avokate më një përvojë gati 25 vjeçare Denisa Daka na rendit disa prej tyre.

“Emigracioni, tradhëtia bashkëshortore, dhuna fizike dhe psikologjike, varësitë ndaj bixhozit, drogës, problemet mendore, fizike dhe seksuale”, shprehet Denisa Daka, Avokate.

Sipas INSTAT-it numri i divorceve në 2018 ishte rreth 4900.

“Po ju përmend rastin e një zonjë që erdhi e shoqëruar për të nisur procedurat e divorcit. Pyeta familjarët nëse ishin përpjekur që ta parandalonin këtë gjë, por m’u përgjigjën se janë më keq se zonja nëpër familjet e tyre, dhe se kishin ardhur të shoqëronin atë këtë here”, ka thënë Daka.

Me gjithë përpjekjet që bëjnë kryesisht gratë për ta mbajtur martesën në këmbë, divorcet janë të pashmangshme. Numri i tyre vetëm vjen në rritje.

“Ka raste kur mendësia mes tre brezave që jetojnë nën një çati dhe konfliktet për shkak të saj e bën të pamundur martesën. Ka raste kur burri e gruaja shkojnë shumë mirë më njëri tjetrin, por janë prindërit e bashkëshortit, pra vjehrri dhe vjehrra që ndikojnë për keq”, tha Daka.

Avokatja Daka tregon se ka ndjekur rreth 300 raste divorcesh gjatë punës së saj mbi dy dekada.

“Numri vetëm rritet. Divorci nuk njeh moshë. Vijnë çifte me tre muaj martesë, si dhe çifte të moshës së tretë me 35 apo 45 vite martesë. Numri i çifteve që janë drejt divorcit është shumë më I madh nga ata që paraqiten në gjykatë”, shprehet Daka.

Top Channel