Dr.Holta Sulaj, mjeke otorinolaringologe në Spitalin Hygeia Tiranë ju informon mbi sindromën e apnesë obstruktive të gjumit, ankesat dhe simptomat, dhe proçedura që ofron Spitali Hygeia për diagnostikimin dhe trajtimin në mënyrë efektive të kësaj sindrome, si dhe pasojat në rast mostrajtimi.

Ҫfarë është sindromi  i apneve obstruktive të gjumit (OSA)?

Apneja e gjumit është një çrregullim i gjumit që karakterizohet nga ndërprerje të shkurtra të frymëmarrjes gjatë gjumit, që prek  meshkujt dhe femrat e të gjitha moshave. Fjala “apnea ” rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë “ndërprerje e frymëmarrjes”. Ekzistojnë dy tipe të apneve: më e shpeshta është sindromi i apneve obstruktive të gjumit dhe më pak i shpeshtë është sindromi i apneve centrale të gjumit.

Apnetë obstruktive të gjumit

Apnetë obstruktive të gjumit ndodhin kur rrugët e sipërme të frymëmarrjes  bllokohen gjatë gjumit.  Zakonisht bllokimi ndodh kur indet e buta të pjesës së pasme të fytit zvogëlojnë, pakësojnë kalimin e ajrit (hipopne), ose lëshohen dhe bllokojnë plotësisht kalimin e ajrit gjatë gjumit (apne). Trupi e ndien që frymëmarrja është ndalur dhe si rrjedhojë pacienti zgjohet për të rinisur frymëmarrjen. Ky cikël përsëritet shpesh gjatë natës (ndonjëherë dhe 50-100 herë në orë) duke ndërprerë në mënyrë të përsëritur gjumin. Në zgjim pacienti është i përgjumur dhe i lodhur.

Apnetë centrale

Apneja centrale e gjumit është një sindrom shumë më i rrallë se apneja obstruktive. Ajo ndodh kur truri dështon në dërgimin e sinjalit muskujve respiratore për të nxitur frymëmarrjen. Ndryshe nga apnetë obstruktive, ku kemi një bllokim në rrugët e ajrit, këtu është truri që shkakton apnetë centrale të gjumit. Kjo ndonjëhere lidhet me dëmtime neurologjike si aksidentet cerebro-vaskulare (AVC) apo një insuficencë kardiake.

 

Cilët janë personat e rrezikuar?

Pacientët që vuajneë situatat e mëposhtme mund të jenë të rrezikuar për të bërë apne të gjumit:

-personat mbipeshë

-personat që gërhasin në mënyrë të rregullt

-personat që vuajnë nga hipertensioni arterial

-ata që vuajnë nga çrregullimet e ritmit

-ata që kanë histori familjare të sindromit të apneve të gjumit apo të gërhitjes

-ata që kanë rrugë të ngushtuara të frymëmarrjes ( gjuhë e madhe, mjekër e tërhequr, nofull e poshtme e pazhvilluar mirë, zmadhim i  tonsilave (bajameve), apo i qiellzës së butë).

Po kështu dhe pacientët që vuajnë nga diabeti, hipotiroza apo akromegalia,etj.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në shtimin e gërhitjes apo apnetë gjatë natës?

Disa prej faktorëve që mund të përmendim janë:

-fjetja në shpine

-konsumi i alkoolit në darkë

– marrja e disa medikamenteve para gjumit si: somniferët, narkotikët (sedativët, qetësuesit) apo analgjezikë të veçantë (qetësues të dhimbjes).

Sa e përhapur është kjo sëmundje?

Vlerësohet që indeksi i përhapjes së sindromit të apneve obstruktive të gjumit është midis 5-10 % të popullatës. Pjesa më e madhe e njerëzve me faktorë rrisku nuk ekzaminohen dhe si rrjedhojë edhe nuk diagnostikohen. Pjesa më e madhe e njerëzve që vuajnë nga apnetë obstruktive të gjumit nuk e dinë që gërhijnë, apo që kanë periudha zgjimi gjatë natës dhe që kanë pauza në frymëmarrje. Ata e konsiderojnë normale gjendjen e lodhur dhe përgjumjen gjatë ditës. Kjo është arsyeja që ata nuk flasin për këto simptoma dhe i mohojnë ato edhe kur i pyet. Gjithësesi vlen të theksohet fakti që sindromi i apneve obstruktive të gjumit është i identifikueshëm dhe i trajtueshëm më së miri.

Cilat janë shenjat dhe simptomat?

Në zgjim:

Gojë e thatë

Ndjesi lodhjeje

Dhimbje koke në mëngjes

Gjatë ditës:

Mungesë energjie

Irritim dhe ndryshime të humorit

Lodhje dhe përgjumje

Mungesë e kënaqësisë seksuale

Vështirësi në përqëndrim dhe humbje e kujtesës

Gjatë natës

Ngritje të shpeshta për të urinuar

Ndjesia e mbytjes

Gërhitje gjatë natës dhe frymëmarrje e zhurmshme gjatë ditës (vihet re lehtësisht nga personat e tjerë)

Gjumë i shqetësuar

Djersë gjatë natës

Shenja fizike

Perimetri i qafës më i madh se 43cm tek meshkujt dhe më shumë se 38 cm te femrat.

Presioni arterial i rritur, që kërkon shumë medikamente për tu kontrolluar dhe me shifra më të larta në mëngjes krahasuar me  orët e pasdites.

Edemë e këmbëve

Si vendoset diagnoza?

Nëse mendoni se vuani nga apnetë e gjumit, mund të flisni me mjekun ORL që mund t’ju referojë për një studim të gjumit. Apnetë obstruktive të gjumit mund të diagnostikohen lehtë falë një testi që mund të realizohet në spital.

Si matet, vlerësohet apneja?

Ka disa gradë të apneve të gjumit. Ato vlerësohen në bazë të numrit të ndërprerjeve të frymëmarrjes (apneve ) apo numrit të frymëmarrjeve sipërfaqësore (hipopneve) për orë gjumi. Kjo me konsensus është quajtur indeksi I apne-hipopneve. (IAH).

IAH nga 5 – 15 – sindrom i lehtë i apneve obstruktive të gjumit

IAH nga 15 – 30 – sindrom i moderuar i apneve obstruktive të gjumit

IAH më shumë se 30 – sindrom i rëndë i apneve obstruktive të gjumit

Për shembull nëse IAH është më i madh se 50, kjo do të thotë që ju e ndaloni frymëmarrjen më shumë se 50 herë çdo minutë,  dhe që zgjoheni për të rinisur frymëmarrjen  dhe ju zë përsëri gjumi. Në këtë mënyrë ju nuk arrini kurrë të bëni gjumin çlodhës që ju nevojitet për një aktivitet optimal gjatë ditës. Për më tepër organizmi juaj është aktiv gjatë gjithë natës , gjë që shkakton stres dhe mbilodhje për zemrën tuaj.

Si trajtohet sindromi i apneve obstruktive të gjumit?

Mënyra më e shpeshtë e trajtimit të sindromit të apneve obstruktive të gjumit realizohet nëpërmjet një aparati te CPAP  (Continuous Positive Airëay Pressure)  i quajtur ndryshe presion pozitiv i vazhdueshëm i rrugëve të ajrit. Ka gjithashtu alternativa të tjera trajtimi si aparatet e gojës dhe kirurgjia , terapia e pozicionit, pakësimi i konsumit te alkolit, duhanit si dhe medikamenteve sedative, si dhe kontrolli i mbipeshës.

Përsa i përket trajtimit kirurgjikal mund të përmendet  kirurgjia e hundës, nazofaringut, orofaringut, laringut, palatumit, avancimit të maksilës dhe mandibulës, etj.Po ashtu mund të përmenden kirurgjia bariartrike, me zvogëlim të stomakut, për personat mbipeshë, apo që e kanë të pamundur rënien në peshë me metodat e zakonshme, stimuluesi i nervit hipoglos që rregullon tonusin e gjuhës (metodë akoma në studim).

Për të gjitha këto masa duhet diskutuar me mjekun specialist, nëse funksionon më mirë një formë terapie apo tjetra, apo të kombinuara.

Cilat janë përfitimet e trajtimit të apneve obstruktive të gjumit?

  • Reduktimi i përgjumjes gjatë ditës
  • Cilësi më e mirë jete
  • Përmirësim i rendimentit në punë
  • Përmirësim i kapacitetit intelektual, përqëndrimit dhe memories
  • Më pak ankth, stres dhe depresion
  • Përmirësim në drejtimin e automjetit dhe pakësim i aksidenteve
  • Përmirësim i presionit të gjakut
  • Reduktim i niveleve të sheqerit në gjak për pacientët që vuajnë nga diabeti tip 2
  • Reduktim i stresit dhe lodhjes së zemrës dhe sistemit kardio-vaskular
  • Reduktim i shanseve për aksident cerebro-vaskular
  • Reduktimi i rrezikut për vdekje të papritura

Cilat janë pasojat nëse apnetë obstruktive të gjumit nuk trajtohen?

–     Përgjumje gjatë ditës

  • Hipertension arterial
  • Sëmundje kardiake
  • Aksidente cerebro-vaskulare
  • Vdekje e papritur
  • Aksidente me makinë (pacientët që vuajnë nga apnetë obstruktive të gjumit kanë 10 herë më shumë shanse për të bërë aksidente me makinë)
  • Aksidente në punë nga mungesa e gjumit
  • Cilësi jo e mirë jete
  • Funksione intelektuale të reduktuara
  • Diabet tip 2
  • Disfunksion seksual
  • Tek shtatëzënat rriet risku për komplikacione gjatë shtatëzënisë, gjatë dhe pas lindjes
  • Tek fëmijët:
    • vonesë në rritje, përkeqësim të raporteve të zhvillimit të fytyrës,  çrregullime të sjelljes, probleme të përqëndrimit, duke ulur performancën në shkollë etj.

Në përfundim theksojmë faktin që apnetë obstruktive të gjumit janë një sindrom që në momentin që dyshohet se ekziston, duhet diagnostikuar sa më parë nga mjeku specialist, me qëllim evitimin e pasojavë dhe ndikimit që ka jo vetëm  në shëndetin dhe jetën sociale të pacientit, por edhe rrezikut që sjell në shoqëri, lidhur me pasojat që mund të sjellë në shtimin e numrit të aksidenteve dhe rrezikshmërinë e tyre.

Trajtimi efektiv i këtij sindromi përmirëson cilësinë e jetës së pacientit, përmirëson shëndetin fizik dhe psikologjik të tij, redukton kostot dhe rreziqet për shoqërinë, pra është me përfitim për të gjithë.

Dr.Holta Sulaj
Mjeke Otorinolaringologe/Spitali Hygeia

Tel: 04 23 90 000

Top Channel