Ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen në Prishtinë. Inspektoriati i Komunës së Prishtinës, nisi të martën prishjen e një kati pa leje në një ndërtesë afër qendrës kryesore të mjekësisë familjare, dhe thotë se i njëjti fat do të presë edhe ndërtesat e tjera të ndërtuara pa lejen e autoriteteve.

Sipas drejtorit të Inspektoratit të komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, pjesa më e madhe e këtij objekti është me leje, por kati i fundit jo, ndaj edhe është marrë vendimi për prishjen.

“Pjesa më e madhe e këtij objekti është i ndërtuar me leje, mirëpo javëve të fundit ka filluar që ta ngris edhe një kat pa leje, Inspeksioni ka qenë disa herë në vendin e ngjarjes, ka vendosur shirita, i ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore, pala nuk i ka përfill ato dhe ka vazhduar prapë me ndërtim. Më 6 janar është marr vendimi për rrënim dhe i është dhënë palës afat prej 15 ditësh që ta ekzekutoj vetë rrënimin, por në rast se vazhdon me punime, sigurisht që inspeksioni duhet të ndërhyjë menjëherë dhe para këtij afati. Pala ka vazhduar dhe këtë fund javë ka vendosur edhe pllakën e katit”

Sipas Tahirit, në Prishtinë ka tendenca të ndërtimeve pa leje, por që në vitin 2019 janë bërë me dhjetëra prishje të tyre.

Top Channel