Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, Bardhi: Qeveria t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme

14/01/2020 17:05

Pas uljes në një tryezë të përbashkët të opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës, sa i takon Reformës Zgjedhore ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi shprehet se vendimet për Reformën Zgjedhore do merren në konsensus dhe se po bëhet propagandë e ethshme për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë:

Propaganda është më e ethshme se asnjëherë për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë:

1.Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera.
2.Vendimet për reformën zgjedhore do të marren me konsensus jashtë Parlamentit ilegjitim.
3. Parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike.

Përfaqësimi në tryezën e reformës zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e reformës zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve.

Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Top Channel