Lëvizjet e para në merkaton e Inter, në zyrat e klubit mbërrin agjenti i lojtarit të Veronës

14/01/2020 18:05

Napoli ka një akord paraprak me Veronën për blerjen e mesfushorit maroken Sofyane Amrabat për shifrën e 15.6 milionë eurove në verën e ardhshme, por presidenti De Laurentiis nuk po gjen gjuhën e përbashkët me vetë futbollistin.

Kjo pasi Napoli i ofron Amrabat një kontratë 5-vjeçare dhe me një klauzolë prej 100 milionë eurosh, ndërsa vetë marokeni kërkon një kontratë maksimumi 4-vjeçare dhe me klauzolë jo më të lartë se 50 milionë euro.

Për të përfituar nga kjo situatë, duket gati Interi, me dyshen Marotta-Ausilio që kanë pritur këtë pasdite në zyrat e klubit menaxherin e Amrabat, Muhamed Sinouh. Takimi ka përfunduar para pak minutash, ndërsa palët u shfaqën mjaft optimiste.

Vlen të theksohet se zikaltrit janë të gatshëm të barazojnë ofertën e Napolit për klubin e Veronës, ndërsa tani beteja do të jetë se cili nga klubet do të bindë më shpejt mesfushorin 23-vjeçar, që po bën mjaft mirë këtë sezon.

Top Channel