Krahason Vucic-in me Milloshevicin/ Walker: Bota e di se masakra e Reçakut ka ndodhur!

14/01/2020 18:48

Mohimi i masakrës së Reçakut nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e riktheu në kohë ish-shefin e OSBE-së, William Walker, kur të njëjtën gjë e kishte dëgjuar nga goja e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloshevic.

Në përvjetorin e 21-të të një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, Walker tha se është rikthyer për të treguar se politika serbe është e vonuar.

“Nuk jam këtu për të dëshmuar se Reçaku nuk ka qenë gënjeshtër. Bota e kupton se Reçaku ka ndodhur dhe se 40 e disa fshatarë nga një fshat i vogël e i pambrojtur janë masakruar, dhe ndaj tyre është ushtruar krim lufte nga trupat ushtarake serbe nën komandën e Sllobodan Milloshevicit. Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim kur presidenti Vuçiç më quan gënjeshtar, unë them se po dëgjoj fjalët e Sllobodan Milloshevicit edhe njëherë. Unë nuk jam i brengosur për të thënat e Vuçiçit për mua, por unë e shoh shqetësuese që është 20 vjet me vonesë duke mohuar çfarë ka ndodhur në realitetin e 15 janarit 1999”, ka thënë Walker, ish-shef i OSBE-së në Kosovë.

Ndryshe nga vitet e tjera, në këtë përvjetor mori pjesë edhe një politikan nga Serbia. Kryetari i Republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç tha se realiteti nuk do të ndryshojë në Serbi derisa klasa politike aktuale është trashëgimi e sistemit të Millosheviçit.

“Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë mënyra për të jetuar në paqe. Por, çfarë po e pengon zgjidhjen tani është se Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daçiç janë trashëgimi e sistemit të Millosheviçit. Më duhet ta them një fjalë për atë që z. Walkerin e quajti “gënjeshtar”, që me këtë kanë bërë një krim tjetër. Të flasësh për këtë vepër të ndodhur 20 vjet më parë me një përçmim të tillë është sërish një krim tjetër. Dhe dua të dini që në Serbi ka njerëz, të cilët mendojnë njësojë si unë”, është shprehur Sanduloviç, kryetar i Republikanëve të Serbisë.

Ndërsa kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti tha se Serbia më shumë se çdo herë tjetër po tenton ndryshimin e historisë. KTë gjitha këto u thanë në konferencën e realizuar nga republikanët nën iniciativën “Reçaku nuk është gënjeshtër”.

Top Channel