Shtëpia e re artistike, “Qendra Kulturore Kristal” hap siparin për të gjithë artdashësit

13/01/2020 14:20

Në vigjilje të festave dhe në prag të mbylljes së një viti të vështirë, artdashësve i është shtuar një shtëpi e re artistike “Qendra Kulturore Kristal” ku përfshihet “Teatri i Komedisë Roland Trebicka”, “Skena Blu Art” dhe teatri i fëmijëve “Edukojmë me art”.

Një iniciativë private, mjaft e guximshme , e mbarsur me një dashuritë të madhe e të shenjtë për teatrin, artin, të bukurën, arrin të thyejë çdo barrierë, duke i dhuruar artistëve të parin teatër privat, krejtësisht të pavarur, që mban emrin e ikonës së komedisë shqiptare “Roland Trebicka”, për ta bërë figurën e tij të gjallë në çdo kohë.

Ceremonia e inagurimit të Qendrës Kulturore Kristal, hapi dhe siparin e këtij teatri, përmes emocioneve të ndjera nga të pranishmit, në një atmosferë shumë miqësore, dashamirëse e me entuziazëm të madh nga artistët, të cilët e konsideruan këtë si një ngjarje e jashtëzakonshme dhe mjaft e bukur që do ti japë mundësi të reja, për të ushtruar profesionin dhe pasionin e tyre në vitin që po vjen.

Mungesa e sallave të teatrit, problematikat administrative në institucionet kulturore shtetërore, përqendrimi të gjithë aktiviteteve vetëm në një vend, ishte kthyer në një hendek të madh për artistët e shumë fushave, ndaj nisur nga kjo “Qendra kulturore Kristal” lindi në kohën e duhur. Teatri i Komedisë me kapacitet prej 260 vendesh, me kushte optimale për të dhënë shfaqje, do të nisë këtë fundjavë të mirëpresë spektatorët e parë. Gjithashtu skena Blu Art, me një kapacitet prej 230 vendesh, do të shfaqë filmat e fundit, si dhe do të mirpresë aktivitete të të gjitha fushave. Teatri i fëmijëve, do të jete multifunksional, si për kurse të ndryshme artistike por gjithashtu dhe për shfaqje interaktive për fëmijët, të cilat do të shfaqen çdo fundjavë.

Top Channel