Ngjela në Top Talk: Ambasadorja e re amerikane, garanci e shtuar për suksesin e reformës në drejtësi

13/01/2020 19:11

Si një partner politik i yni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujdesen që politikat e ndjekura në vendin tonë të inspektohen në të shumtat e rasteve nga ata.

Ardhja e ambasadores së sapoemëruar Juri Kim, shton më shumë prezencën e Amerikës në vendin tonë. Kim ka më pak se një javë që është emëruar dhe në prezantimin e saj ajo u zotua se do të bëjë të pamundur për të zgjidhur krizën politike midis dy partive më të mëdha të vendit PS-PD, si edhe garantimin e mbarëvajtjes së procesit të SPAK (Struktura e Posaçme Anti Korrupsion).

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar këtë të hënë në emisionin “Top Talk” u shpreh entuziast për praninë e Amerikës në Shqipëri, me anë të ambasadores Juri Kim. Sipas tij, ambasadorja e re është një garanci për suksesin e reformës në drejtësi. Avokati gjithashtu shtoi se ambasadori është “Presidenti Amerikan”, në vendin kur ai shërben, në këtë mënyrë të gjitha elementët që kanë ngelur në hije nga reforma do të zbardhen.

“Natyrisht që thembra e Akilit, është reforma në drejtësi. Fakti që e përmendi në mënyrë të veçantë kuptohet që kjo gjë është politikë primare për Uashingtonin në Shqipëri”, citoi avokati.
Lidhur me pyetjen e ngritur nga gazetari Dyrnjaja në studio, se si mund ta shtyjë përpara ambasadorja e re reformën në drejtësi duke i dhënë një lloj fuqie për shkak se ka dhe një lloj skepticizmi ndaj saj (duke iu referuar reformës në drejtësi), Ngjela u përgjigj:

“Skepticizmi është i shtresave të cilat preken nga reforma. Ardhja e ambasadores natyrisht që e çon përpara. Sepse doktrina e tyre nuk pranon politikën e nivelit të lartë nga e ngarkuarit me punë. E ngarkuara me punë këtu bile ka bërë shumë në këtë çështje. Ambasadori është presidenti amerikan në vendin ku ai shërben. Tashmë erdhi ambasadorja dhe ato që kanë ngelur pak a shumë në hije (nga reforma në drejtësi) do të zbardhen”.

Top Channel