Kanadaja kërkon përgjigje për rrëzimin e avionit ukrainas në Iran, viktimat ishin kanadezë

08/01/2020 20:00

Kanadaja do të punojë me partnerët e saj ndërkombëtarë për t’u siguruar se rrëzimi i avionit ukrainas, në të cilin vdiqën 63 shtetas kanadezë, është hetuar plotësisht dhe se pyetjet e kanadezëve kanë marrë përgjigje, deklaroi kryeministri Justin Trudeau.

Trudeau theksoi se ishte i shokuar dhe i trishtuar nga raportet e rrëzimit të avionit.

“Në emër të qeverisë së Kanadasë, Sophie dhe unë shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që kanë humbur familjen, miqtë dhe të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, deklaroi Trudeau, duke iu referuar bashkëshortes së tij.

Trudeau shtoi se ministri i Jashtëm, Francois Philippe Champagne ka kontaktuar me qeverinë e Ukrainës dhe po komunikon me autoritetet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, ai theksoi se ministri i Transportit, Marc Garneau po bashkëpunon me zyrtarë nga Drejtoria e Aviacionit Civil, “Transport Canada” si edhe me homologët e tij ndërkombëtarë./

Top Channel