Top Story/ Marifetet e institucioneve nëpërmjet shpalljes së tenderit, si ndryshon data për të favorizuar një kompani

07/01/2020 21:52

Shkeljet e dukshme që ka konstatuar Top Story, e që ka të bëjë me njoftimin e tenderit. Shpesh herë kemi një kohë shumë të shkurtër në dispozicion nga hapja e tenderit e deri tek mbyllja e tij. Pra, nuk i lihet kohë e mjaftueshme ofertuesve që të përgatisin dokumentacionin.

“Mënyra e fundit si abuzohet është nëpërmjet kualifikimeve që bëhen për proceduara ekstra, jashtë tenderit. Siç mund të jetë lënia e afateve të shkurtra për përgatitjen e dokumentacionit dhe njoftimi i kompanisë paraprakisht të ndodhë njoftimi i tenderit”, tregon Panajot Soko, ekspert ekonomie.

Përveç rasteve kur afati i njoftimit është shumë i shkurtër dhe të lë të kuptosh që kompania e paracaktuar është njoftuar më herët, kemi edhe një rast tjetër. Është vendosja e dy datave të njoftimit. Në njoftimin e parë publik që bën Agjencia e Prokurimit Publik jepet një datë e ndryshme nga ajo që jepet në brendësi të dokumentit që ka institucioni që do të kryej tenderin.

Ky është një truk i cili krijon konfuzion te aplikuesit e tenderit. Dhe për ta legjitimuar këtë abuzim, institucioni tenderues publikon më pas një dokument të dytë si shtojcë për ndryshimin e datës.

“Duket sikur edhe kjo është një proceduar e rregullt, duket sikur gabimi është njerëzor dhe mund të ndodh, por kemi disa autoritete prokuruese që gjithmonë e përdorin këtë praktikë. Ndoshta edhe për të krijuar një lloj matje pulsi të atyre që duan të marrin pjesë në garë. Për të rregulluar diçka në moment të fundit apo për ti dhënë mundësi ose afate më shumë një klienti të preferuar”, tregon Aranita Brahja, Drejtuese e Open Data Albania.

Le të marrim disa shembuj që të kuptojmë më qartë atë që ndodh.
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, ka njoftuar për organizimin e një tenderi në 31 dhjetor. Ky tender ka si objekt blerjen e materialeve radiologjike për nevojat e spitalit. Vlera e këtij tenderi është 4.8 milionë lekë të reja pa t.v.sh. Ajo që bie në sy është fakti se në njoftimin që shpall në faqen zyrtare Agjencia e Prokurimit Publik, ka data të ndryshme për mbylljen e tenderit. Në faqen e Agjencisë njoftohet për mbylljen e tenderit në 31 dhjetor 2019, ndërsa po të hysh në dokumentet brenda tij tenderi do të mbyllet në 26 dhjetor 2019, pra një javë më herët nga njoftimi.

Më pas autoriteti kontraktues ka bërë shtojcë dokumenti ku tregon se data e mbylljes së tenderit do të jetë në 31 dhjetor.

Një tjetër njoftim me dy data për tender po nga institucionet shëndetësore, është ai i spitalit të Beratit. Ky institucion ka njoftuar se do të blejë lëndë ngrohëse Pelet me një vlerë mbi 7 milionë lekë të reja.
Në njoftimin e Agjencisë së Prokurimit Publik thuhet se tenderi do të mbyllet në 30 dhjetor. Ndërkohë që në brendësi të dokumentit kemi një datë fiktive e cila ndryshohet sërish me një dokument shtojcë.

“Kuptohet që prapë keni kapur një gabim që përmban procesi i tenderimit këtu te ne.Kuptohet që data është shumë e rëndësishme pasi lidhet me ata që marrin pjesë në garë , kur i dorëzojnë dokumentet, kualifikohen apo jo. Duke luajtur me kohën ti luan edhe me transparencën apo vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Kjo është një shkelje do të thoja unë që duhet të ketë ndëshkueshmëri dhe duhet të kapet nga organet kompetente”, tregon ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli.

Një tjetër spital që organizon tendera me datë të ndryshme nga ajo që njoftohet në faqen zyrtare të Agjencisë, është Spitali i Traumës. Ky spital ka njoftuar se mbyllja e një tenderi, do të jetë në 31 dhjetor, të paktën sipas njoftimit në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, por nëse hyn në brendësi të dokumenteve rezulton se do të realizohet tre ditë më herët, pra në 27 dhjetor. Vlera e kontratës është 5.2 milionë lekë pa tvsh, të cilat do të përdoren për asgjësimin e mbetjeve urbane te spitali i traumës.

“Nëse analizohen këto del dhe marzhi i gabimit ose i pasaktësisë së zyrave të ndryshme të autoritetit të prokurimit publik. Një punonjës i autoritetit të prokurimit publik që ka këtë nivel të lartë gabimi nuk ka pse ta mbajë më këtë status është një arsye e përligjur për ta larguar nga detyra”, tregon Aranita Brahja, Drejtuese e Open Data Albania

Numri i lartë i njoftimeve me dy data për mbylljen e tenderave të lë të kuptosh se nuk është rastësi. Kjo mund të jetë një nga shumë metodat e përdorura për të favorizuar klientët.

Top Channel