Temperaturat e ulëta mëngjeseve dhe darkave kanë rritur fluksin e pacientëve të prekur nga virozat e shumta që qarkullojnë, ku nuk kanë munguar edhe rastet me grip, por Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka deklaruar se cili virus qarkullon në vendin tonë.

Temperaturë e lartë, kollë dhe shpesh infeksione respiratore janë simptomat që kanë prekur shumë qytetarë. Më të shtuara kanë qenë rastet tek moshat pediatrike.

Mjekët thonë se I kanë këshilluar prindërit që gjatë mëngjeseve dhe në orët e darkës të mos i nxjerrin fëmijët e vegjël, por atmosfera e krijuar në shesh me rastin e festave të fundvitit dhe jo vetëm, i ka tunduar.

Kjo ka bërë që shumë fëmijë të kalojnë temperaturë 40 gradë. Sipas mjekëve, komplikacione më të shtuara tek pacientët e prekur nga virozat kanë qenë infeksionet e veshit dhe syve.

Mjekët sugjerojnë prindërit që përveç konsumimit të lëngjeve të bëjnë kujdes me ngrohjen e ambjentit, jo duke mbajtur një temperaturë të lartë dhe çdo dy orë të hapin dritaren për t’u ajrosur.

/Alma Demiraj/

Top Channel