Nga Rudolf Marku

Kritika letrare ka kohë që bëhet përherë e më tepër, pjesë e gazetave të ditës (ditore a javore), ndryshe nga ajo traditë kur ajo, botohej nëpër revista të specializuara, a nëpër libra kritikë a studimorë. Me raste të rralla, studiuesit letrarë dhe kritikët të brezit pas viteve ’90, ata që konsiderohen të tillë, janë autorë pa libra të botuar.

Një fenomen i tillë ka arsyet e veta, besoj arsye nga më të ndryshmet, të cilat gjithsesi qëndrojë në atë zonë që F.Nietzche e konsideronte si, përtej së mirës e përtej së keqes. Shpesh studimet letrare të botuara nëpër libra akademikë, mbartin një lloj ftohtësie akademike, e cila, bëhet barrierë që të mund të arrijë dhe të prek lexuesin. Nga ana tjetër, kritika e botuar në shtypin periodik ka avantazhin e komunikimit me një lexues më të gjerë, ka prioritetin për të ndjekur zhvillimet më të fundit të botimeve, po aq sa çka dhe disavantazhin e shndërrimit të kritikës në një zhanër të lehtë opinioniste. Siç dhe merret lehtë me mend, autorët që botojnë nëpër gazeta e kanë më të vështirë që të krijojnë një emër të besueshëm si studiues dhe kritikë seriozë. Natyra e përditshmërisë së gazetës duket se është jo në favorin e kredibilitetit akademik dhe të besueshmërisë së shkrimeve kritike.

Në shkrimet kritike dhe paraqitjen kritike të librave, Alda Bardhyli është njëri ndër emrat që duket se i shmang me mjeshtëri rreziqet e sipërthëna të kritikës letrare të botuar në shtypin periodik, aq sa shkrimet e saj, mund të qëndrojnë me dinjitet në një libër më vete të studimeve kritike. Në këtë libër, që lexuesi sapo e merr në dorë, ajo ka arritur të pajtojë dy llojet e kritikës letrare, për të cilat folëm në krye- duke balancuar cilësitë më të mira të kritikës së botuar në shtypin periodik, me avantazhet e kritikës akademike dhe studimore që zakonisht botohet në libra studimorë a në revista të specializuara të studimit të letërsisë.

Duke lexuar këtë libër të Alda Bardhylit, nuk e di përse më erdhën ndërmend librat me ese kritike të Harold Bloomit dhe të James Wood- dy nga emrat më të shquar të kritikës letrare të kohërave tona. Harold Bloom-i, në listën e vet të famshme të librave që ai rekomandon për studentët e Universiteteve Amerikane (Bloom’s Modern Critical Interpretation) –bashkon Këngë të Solomonit të Dhiatës së Vjetër me White Noise të postmodernistit Don De Lillo; The Great Gatsby-n me ‘I know why the caged bird sings, të Maya Angeloë-t; Iliaden dhe Odisenë me On the Road, të shkrimtarit të Bit Generation Jack Kerouac.Këtë shprishje të piramidës së akademizmit kritik bën në librin e saj dhe Alda Bardhyli. Është ndër rastet e veçanta të kritikës letrare që shkruhet tek ne, kur studiuesi nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të përjashtuar autorët e tjerë. Tek ne, tradita e ndalesës vetëm në një a dy stacione, hezitimi për të analizuar një vepër të mirë, që i përket një autori, emri i të cilit nuk është përfshirë në listën e fosilizuar të Pllakës Përkujtimore të Varrezave Kombëtare, – është traditë që vjen nga listat e dikurshme të bekuara nga soc-realizmi, i para ca viteve. Libri i Alda Bardhyit fillon me përmendjen e Pierre Angelique, George Bataille, për të vazhduar me vlerësimin e novelës së Dhimitër Xhuvanit “E nesërmja e një gruaje”. Në kritikën e sotme letrare që shkruhet tek ne, studiuesit zakonisht përmendin emrat e mëdhenj të letërsisë botërore, Shekspirin, Danten, Homerin, Servantesin dhe ndonjëherë dhe Xhojsin, Hemniguejn, Tomas Eliotin.

Një listë që u jep artikullshkruesve sigurinë, se janë të kulturuar dhe njohës të letërsisë së mirë. Pa u shkuar ndërmend se e gjitha, kjo është provë e një mendësie provinciale- Shekspiri nuk ka nevojë lavdërohet nga një kritik letrar shqiptar. As dhe Tomas Elioti. Të vjen të qeshësh me ato studiuese dhe profesorë letërsie të Universiteteve tona që marrin doktoraturat shkencore, përmes temave studimore rreth stilit shkrimor të Balzakut, a rreth metafizikës së poemës “Tokë e Shkretë”. Do të qe e pafalshme për një profesor të poezisë së shekullit të XX, mosleximi dhe mosnjohja e T. Eliotit, por, kur vjen fjala për të shkruar një studim origjinal të kritikes letrare, do preferoja një studim për veprën e Bogdanit, a për poezinë e bejtexhinjve, apo një studim për poezinë a romanin modern shqiptar, para një studimi të shkruar me seriozitetin më të madh për romanet e Tomas Mannit a për absurdin e ‘Duke pritur Godonë’!

Alda Bardhyli ka guximin që t’ua drejtojë vëmendjen lexuesve te veprat e autorëve bashkëkohës shqiptar. Pa asnjë kompleks inferioriteti dhe pa asnjë sens megallomanie. Në të gjithë librin e Alda Bardhylit gjejmë kalime të natyrshme referimesh nga letërsia bashkëkohëse botërore te letërsia bashkëkohëse shqipe, dhe anasjelltas. Letërsia e mirë nuk ka kufij kombëtar, dhe aq më tepër, shtetërorë. Por qendra gravitacionale e kritikës mbetet letërsia bashkëkohorë e vendi tënd! Ose e atyre librave që bashkohen me përvojat e letërsisë së vendit tënd ! Tek libri i Alda Bardhylit ka shumë referime të letërsisë tonë bashëkohore- libra të cilat zakonisht injorohen prej kritikëve tanë, ose, në rastin më të mirë, përmenden me gjysmë zëri, nën hijen e përmendjeve me adhurim, të librave të autorëve të huaj. Bardhyli është e çliruar nga çdo kompleks inferioriteti.

Është e çliruar nga kompleksi provincial, që thotë se çdo gjë e keqe fillon dhe mbaron në shtëpinë time, dhe jo në shtëpitë e botës. Alda Bardhyli nuk i thotë lexuesit, duke u përpjekur ta sugjestionojë atë, se kjo vepër është një vepër e madhe e letërsisë dhe ky autor është ndër më të njohurit në botë- çka është e modës te shumica e kritikëve letrarë. Ajo preferon të thojë pse një vepër është një vepër e rëndësishme në letërsi dhe pse një autor është një autor i njohur dhe i respektuar në botë. Alda Bardhyli është një studiuese me shije elitare. Ndryshe nga shumica e kritikëve tanë, të cilëve mungesën e shijeve ua tradhtojnë frazeologjitë me fjalë të mëdha, të mbështjella me letrat e ambalazheve të emrave të mëdhenj. Në artikujt e këtij libri, gjithmonë citimet e teksteve ilustrojnë bindshëm idenë e autores për letërsinë. Jo ashtu siç ndodhë rëndom, tek lexon epitetet marramendëse të kritikut për një vepër, dhe kur vjen çasti të lexosh ilustrimin e tekstit të zgjedhur nga kritiku, sheh një ndarje të madhe mes shijes së keqe që të lë pjesa e zgjedhur me vetë fjalët lavdëruese për veprën apo autorin e veprës. Ashtu siç ndodhë te kritika e Harold Bloomit dhe James Wood-it, tek libri i Alda Bardhylit gjejmë të gërshetuar analizën e tekstit, me të dhënat biografike të shkrimtarit. Në një ekuilibër që e bën studimin më tërheqës, më me kredibiiltet, më të lexueshëm (studimet lexohen si një krijimtari artistike)- një metodologji anti- akademike me tekstet e mërzitshëm plot terminologji të një lëkure të trashë prej buajsh. Alda Bardhyli është ndër të parat që e ka kuptuar se kritika letrare, më tepër se të shkruhet me terma dhe fraza barrok, duhet të jetë e lehtë lexueshme, duhet të jetë e shkruar po aq mirë sa dhe letërsia që ajo interpreton. Ky libër mendoj se bën përpjekjen e parë për ta bërë kritikën letrare accessible- të lehtë komunikueshme dhe të lehtë arritshme në lexim.

Libri që kemi në duar ka një intensitet informacionesh dhe interpretimesh, aq sa, pasi e ke lexuar, vë re si libri nuk paska 300 faqe,- siç ke menduar pasi e ke përfunduar së lexuari faqen e fundit të tij- por më pak se 100 faqe. Ky iluzion i vjen lexuesit nga shumëllojshmëria e trajtimeve dhe e interpretimeve – të mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë sidomos analizat e librave të Italo Svevos, përkthimet e munguara të Follknerit, Petro Zheji, Robert Shvarc dhe modelet e reja të përkthimeve, eseja. Kjo wshtw një histori mungese- një ese për fatin e gruas në letërsi, që nga Penelopa apo Andromaka deri te Ana Karenina apo Lara e Zhivagos.

 

Top Channel