Digjet pallati në Pogradec/ Zjarri shkrumbon 8 apartamente, dhjetëra të pastrehë para festës

28/12/2019 20:30

Ky pallat në lagjen 2 të qytetit të Pogradecit prej disa orësh vazhdon të jetë në pushtetin e flakëve. Zjarri nisi në pjesën e sipërme të katit shtesë të këtij pallati ndërkohë që u përhap duke shkrumbuar të paktën 8 apartamente dhe duke lënë në qiell të hapur dhjetëra familje.

Flakët nisën pak pas mesditës të së shtunës por për zjarrfikësen e Pogradecit ishte e pamundur të përballohej vetëm shuarja e këtij zjarri. U deshën të mbërrijnë zjarrfikëse të tjera nga Korça Prrenjasi e bashkitë e tjera në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Pogradecit e pavarësisht se kanë punuar për orë të tëra flakët vijojnë të jenë aktive ndërkohë që një zjarrfikës por edhe një banor janë transportuar në spital.

Punonjësi i zjarrfikëses është dëmtuar teksa përpiqej të shuante flakët ndërsa në një nga familjet njëri prej anëtarëve ka shfaqur gjendje shoku çka ka bërë që të transportohen në spital. Ndërkohë forcat zjarrfikëse vazhdojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit edhe pse era ka ndikuar prej fillimit për përhapjen e tyre duke vështirësuar punën.

Paraprakisht dyshohet që zjarri të ketë nisur në njërin prej oxhakëve të apartamenteve të këtij pallati e më pas të jetë përhapur në apartamentet e tjera duke bërë kështu që dhjetëra familje të humbasin banesat e tyre. Nga ana tjetër pas evakuimit të banorëve bashkia e Pogradecit ka marrë masa për strehimin e tyre në qendra sociale apo edhe ambiente të tjera të vendosura në dispozicion.

Top Channel