Tenderat shtetërorë do të zhvillohen përmes një ligji të ri, i cili është nxjerrë për konsultim publik nga qeveria.

Përveç procedurave të hapura dhe të kufizuara parashikohen tre lloje të reja procedurash prokurorimi me faza, përkatësisht Procedura Konkurruese me Negocim, Dialog konkurrues, Paternitet për Inovacion, të cilat pas fazës së parakualifikimit, lejojnë Autoritetin të negociojë apo dialogojë me ofertuesit,mbi ofertat dhe zgjidhjet teknike të ofruara prej tyre.

Nga ana tjetër Autoritetet tenderuese do të kenë mundësi të negociojnë paraprakisht me kompanitë dhe të modifikojnë kontratat gjatë afatit të tyre, me një kufi të lejuar deri në 20% të vlerë së kontratës fillestare.

Sigurimi i ofertës, nuk duhet të jetë më shumë se 2% e vlerës së ofruar, ndërkohë që mund të bëhen si me garanci bankare ashtu dhe me kompani sigurimi.

Kriteret skualifikuese lehtësohen. Kështu nëse një kompani nuk ka paguar taksat, ajo mund ë marrë pjesë në tendera me kusht që të lidhi me tatimet marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve përfshirë dhe gjobat nëse ka. Po ashtu nëse subjekti është në gjyq me tatimet për taksat e papaguara ai mund të marrë pjesë në tendera deri në daljen e vendimit të formës së prerë.

Projektligji parashikon uljen e afatit minimal të periudhës së përjashtimit nga tenderat, në raste shkeljesh të kompanive, nga 1 vit që është në ligjin aktual në 3 muaj.

/Donald Jorgoni/

Top Channel