Kina ka lëshuar pe në luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke njoftuar së fundmi heqjen e disa tarifave të vendosura mbi mallrat amerikane.

Vendimi duhet të hyjë në fuqi sot, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes tregtare midis dy vendeve të premten. Tarifat e hequra prekin misrin, grurin dhe disa pjesë të automjeteve. Të tjerat, për momentin do të vazhdojnë ashtu siç janë, kanë deklaruar nga Ministria e Financave të Kinës.

“Kina shpreson në bazat e barazisë dhe respektit reciprok, të bashkëpunojë me SHBA-në për të zgjidhur problemet dhe të promovohen zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë së të dyja vendeve”, thuhet në njoftim. Tarifat e reja amerikane për importet kineze, duhet të hynin në fuqi të dielën. Por, kjo masë është anuluar tani për tani.

“Ne do t’i fillojmë negociatat për marrëveshjen në fazën e dytë menjëherë, në vend se të presim deri pas zgjedhjeve të vitit 2020”, tha presidenti amerikan, Donald Trump. “Kjo është një marrëveshje e madhe për të gjithë”, shtoi ai.

Nëse tarifat e reja, do të kishin hyrë në fuqi, atëherë mallrat e prodhuara nga Kina, siç janë: telefonat, rrobat dhe lodrat, do të ishin bërë më të shtrenjta për amerikanët pikërisht përpara festës së Krishtlindjeve. Kjo është një marrëveshje në parim, që do të thotë se nëse Kina nuk e zbaton ndonjë pjesë të marrëveshjes, administrata amerikane ka mundësinë të ri-zbatojë tarifat.

Top Channel