Në një videomesazh në Facebook, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për nisjen e asaj që e quan “lufta e baltës” nga opozita. Rama i referohet denoncimeve që kanë nisur të bëhen nga Partia Demokratike për mungesën e reagimit të autoriteteve ndaj atyre njerëzve që vijojnë të vuajnë pasoja të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Inekzistente” e quajti Rama punën e opozitës përballë fatkeqësisë së 26 nëntorit, por nuk kurseu as përgëzimet për kryeopozitarin Lulzim Basha.

“Një merak dua të ndaj me ju, arsyeja pse po ju shqetësoj me këtë mesazh. Opozita ka qenë inekzistente në punën e saj, përjashto daljet sporadike të Lulzim Bashës, të cilën e përgëzoj për një vetëpërmbajtje në një kohë të vështirë për njerëzit”, u shpreh Rama.

Gjithsesi, kryeministri u rikthye menjëherë te kritikat ndaj Bashës “për refuzimin e përsëritur dhe absurd për të dhënë një dorë në këtë bashkëpunim. Nuk e di pse refuzon, por e di që refuzimi në këtë situatë është mungesë e plotë përgjegjshmërie”.

“Opozita dhe njerëzit përreth Lulzim Bashës kanë filluar të japin shenjat e një lufte balte”, theksoi Rama, duke shtuar se “kjo është puna e tyre dhe e Lulzim Bashës që me siguri do ta marr shpejt flamurin e kësaj lufte”.

Por Rama kërkoi nga njerëzit përreth tij që të mos merren me akuzat e opozitës.

  Rindërtimi i shtëpive, Rama thotë se i gjithë procesi mbyllet në qershor të 2021-it

Top Channel