Dhuna mbetet gangrena e futbollit shqiptar. Këtë radhë ajo është shfaqur në Peqin, në sfidën e javës së 11 të Kategorisë së Parë mes Shkumbinit dhe Dinamos, e mbyllur 1-1, ku ai që e ka pësuar ka qenë arbitri i kësaj sfide, Sokol Bebja.

Ky i fundit është sulmuar nga tifozët vendas të cilët hynë në fushën e lojës duke mos i kursyer grushtat ndaj tij, me gjyqtarin që është nxjerrë me shumë vështirësi nga fusha e lojës.

Tifozëve të Shkumbimit duket se nuk u pëlqeu aspak arbitrimi i Sokol Bebjas në këtë përballje, që duket se ka qenë mjaft e tensionuar teksa gjyqtari ka dhënë 3 kartona të kuq e 8 të verdhë.

Ndërkaq, klubi i Dinamos ka reaguar ndaj këtij akti nëpërmjet një komunikate të publikuar në rrjetet sociale.

Në postimin e tij, klubi kryeqytetas shfaqi indinjatën e tij për atë çfarë ndodhi duke shtuar se çdo ndeshje e kësaj skuadre po shoqërohet me presione që nuk kanë të bëjnë me fushën e lojës. Sipas klubit kryeqytetas, kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, ndërkohe që Dinamo mbetet një ekip ‘Fair Play’ si brenda fushës ashtu dhe jashtë saj.

Top Channel