Boris Johnson falenderoi zgjedhësit në Anglinë Veriore se kanë thyer traditat e votimit të gjeneratave të tëra për të mbështetur konservatorët.

Duke folur në zonën e dikurshme elektorale të Toni Blerit, në Sedgefield, kryeministri britanik tha se ai e dinte se sa i vështirë kish qenë një vendim i tillë. Johnson fitoi me 80 deputetë më shumë në dhomën e komuneve, që është edhe fitorja më e madhe e partisë së tij në 30 vite, duke lënë mënjanë laburistët edhe në bastionet tradicionale të tyre. Në kontrast, laburistët shënuan rezultatin më të keq në zgjedhje që nga 1930.

Aktivistët thërrisnin “Boris, Boris”, kur Johnson mbërriti në kontenë Durham, ku fitoi partia konservatore të enjten për të parën herë në 84 vite. Kryeministri tha se ai donte të falenderonte zgjedhësit e këtyre zonave në Anglinë verilindore që i kishin dhënë besimin konservatorëve. Ata sipas tij, kanë ndryshuar panoramën politike dhe kanë ndryshuar po ashtu partinë konservatore.

Në anën tjetër, Jeremy Corbyn, lideri i laburistëve, tha se kishte bërë gjithçka që mundej për ta kthyer partinë në pushtet, por do të jepte dorëheqjen tani në fillim të vitit të ardhshëm, pasi një pasues të zgjidhej nga partia. Ai tha se zgjedhjet e përgjithshme ishin marrë peng nga Brexiti, çështje për të cilën Johnson bëri fushatë të egër, por figura të tjera të partisë, kanë patur qëndrime të ndryshme.

Top Channel