USAID: Gjyqësori në Kosovë ka shënuar rritje të transparencës

13/12/2019 06:25

Gjyqësori në Kosovë ka shënuar rritje të transparencës, ku qytetarët përveç që mund të marrin pjesë në seanca, gjykatat publikojnë edhe aktgjykimet në faqet e tyre.

Një gjë të tillë e pohoi dhe zyrtarja për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, e cila e tha hapur se gjyqësori kosovar, sot është më transparent.

“Qytetarët sot janë më të informuar për atë që ndodh brenda sallave të gjyqit. Ne presim të kemi një bashkëpunim më të suksesshëm dhe t’i tregojmë qytetarëve se gjyqësori nuk është vetëm transparent, por edhe llogaridhënës”- tha Christina Davies, USAID Kosovë.

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, u shpreh se po vazhdon të punohet për ta rritur edhe më shumë këtë transparencë. Ilustrimin me shembuj konkretë e bëri këshilltarja ligjore Nora Bajrami, e cila tha se nga data 1 maj deri në 15 nëntor, në gjykata janë publikuar 6 mijë e 611 aktgjykime.

Gjykata Themelore e Ferizajt është shpallur si gjykata më transparente në Kosovë. Kryetari i saj, Bashkim Hysenaj, tha se është nder për ta që puna e tyre është vlerësuar.

Top Channel