Basha për banorët e Durrësit: S’kanë qartësi se ç’do bëhet me ta, vëmendja e qeverisë te propaganda

13/12/2019 14:51

Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se “dy javë e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit, ende qytetarët në fshatrat e Durrësit dhe kudo në zonën e goditur, nuk kanë asnjë qartësi se ç’do të bëhet me ta.”

“E gjithë vëmendja e qeverisë është tek propaganda për të mbuluar dështimin neglizhencën kriminale që mori 51 jetë njerëzish. Situata është e rrezikshme për shumë familje të cilat, në pamundësi të një strehe, po rikthehen në shtëpitë e tyre që nga verifikimet e para janë konsideruar të pabanueshme, duke rrezikuar jetën e këtyre familjeve. Nga shteti nuk është kujtuar askush tu çojë një çadër, apo ushqimet më minimale, duke i detyruar të flenë jashtë apo ne rastin më të mirë te miq a të afërm. Ky dështim po na shtyn drejt një krize humanitare. Thirrja ime për qytetarët është të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre duke u kthyer në shtëpitë e dëmtuara. Kjo duhet të bëhet vetëm dhe vetëm pasi me përgjegjësi të plotë ligjore dhe penale, ekspertët e autorizuar zyrtarisht nga qeveria, çertifikojnë me shkrim dhe zyrtarisht se banesa është e sigurt”, shkruan Basha.

Më tej shton:

“Në vend të vërtitjes si korbi nëpër gërmadha, duhet urgjent te alokohen fonde për strehimin dhe ushqimin e çdo fëmije, çdo prindi, çdo nëne dhe babai, çdo pensionisti në nevojë. Të akordohen MENJËHERË për qytetarët e goditur nga tërmeti, 150 milion dollarët që Ministri i Inceneratorëve dhe Rrugës së Florinjtë, prapë jua la oligarkëve me buxhetin që sapo miratuan fshehtas 1 orë më parë. Si mund të lihen qytetarët në mëshirën e fatit, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë në xhepat e 10 oligarkeve dhe qeveritarëve të lidhur me ta!!! Nuk ka dështim dhe paaftësi më të kobshme për një qeveri, që 17 ditë pas tërmetit nuk e di ende sa qytetarë ka të pastrehë, pa ushqim, pa asnjë ndihmë, sa banesa ka të dëmtuara dhe jashtë funksioni. Kjo neglizhencë dhe ky dështim kushtojnë jetë!”

Top Channel