Gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë vendosur të kundërshtojnë me protesta në rrugë dhe ‘on line’, paketën “anti shpifje” të përgatitur nga mazhoranca e Edi Ramës, për të cilën thonë se është përpjekje për të kapur median ‘on line’ në Shqipëri.

Në një takim të organizuar sot në Tiranë, gazetarët dhe aktivistët kanë theksuar se protestat nuk mund të lihen për në datën 19 dhjetor, kur mazhoranca kërkon të kalojë në Kuvend këtë paketë, por ato duhet të zhvillohen më përpara për të bërë presion për tërheqjen e deputetëve. Pritet që protestat të nisin tre ditë përpara seancës plenare.

“Unë jam dakord që ne t’i përdorim të gjitha format e protestës, dhe ne u bëjmë thirrje dhe mediave që të shprehen në të gjitha format. Ne lutemi që këta ta heqin përpara se ta fusin në Kuvend, sepse po bëmë protestë me 19 dhe ata e kanë futur në rendin e ditës, ata i kanë votat në shumicë për ta kaluar. Problemi është që të rrisim presionin, unë jam dakord me të gjitha këto pikat e propozuara, përjashto rendin, sepse ky takimi me ambasadorët mund të bëhet qysh nesër, se s’ka kuptim të lihet me 19. Ne nuk duhet t’ju lëmë kohë në këtë gjë, se po i lamë kohë, ç’kuptim ka pastaj. Dhe e treta, nënkupton të gjitha format e reagimit dhe protestën mund të mos e lëmë me datë 19, mund ta bëjmë 3 ditë rresht”, është shprehur gazetari Aleksandër Çipa në takim.

“Duhet t’i përgjigjemi dhe me një gjuhë teknike. Qëndrimi im është pro protestave fizike, pro protestave on line. T’ju bëjmë thirrje të gjithëve sa munden, njerëz me influencë ta skuqin, ta nxijnë ose ta zbardhin Facebook me një gjë që është slogani ynë kundër paketës antishpifje, që nuk është një paketë antishpifje sepse shpifja s’ka nevojë për gjykim administrativ, kemi nevojë për gjykim gjyqësor”, është shprehur aktivistja Aranita Brahaj.

“Mua më pëlqen ideja e zonjës, të përfshijmë dhe shoqërinë civile, sepse nuk është vetëm çështje e gazetarëve. Është e jona kryesisht. E para duhet të krijojmë një grup, të bëhet një planveprimi konkret dhe më pëlqeu ideja që mos ta lëmë protestën me 19, por 3 ditë. E dyta të krijohet një grup për ambasadat, të krijohet një grup negociimi. T’i drejtohemi të gjithë ambasadave me kërkesa për takime. Të zgjidhet një grup se të gjithë s’mund të shkojmë”, është shprehur pedagogu Mark Marku.

Paketa antishpifje është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile, pasi, siç thonë ato, kufizon lirinë e shprehjes dhe rrezikon të vendosë median nën kontrollin e Qeverisë. Edhe OSBE ka kërkuar nga mazhoranca që të marrë në konsideratë shqetësimet e gazetarëve.

Zëra kundër, ndonëse të paktë, ka patur edhe brenda mazhorancës, të cilët kërkojnë që të paketa të realizohet në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.

/k.s

FOTO GALERI
1/8

Top Channel