Derbi që do të zhvillohet në Air Albania Stadium mes Partizanit e Tiranës padyshim i ka gjetur në momente të vështira të dyja skuadrat, me bardheblutë që kanë larguar trajnerin Julian Ahamtaj për t’i besuar stolin Manuel Egbo dhe Partizani mes mungesash të shumta.

Të dy trajnerët shprehën respekt maksimal për rivalin në konferencat për shtyp, një ditë përpara duelit të rëndësishëm.

“Mendoj se në një ndeshje derbi nuk ka skuadra favorite; Tirana ka një organikë të mirë dhe pavarësisht momentit që po kalojnë i shoh ende rival për titullin kampion. Sa i përket mungesave nuk dua të zgjatem duke qenë se nuk janë të gatshëm për ndeshjen atëherë nuk më interesojnë dhe nuk i llogaris fare. Nuk i druhem faktit që partizani ka 6 vite pa u mundur në derbi, sepse një ndeshje futbolli i ka te gjitha rezultatet brenda. Fakti që luhet në një stadium të standardeve evropiane i jap shtysë futbollistëve të japin më të mirën madje Air Albania është një mundësi e mirë dhe për tifozët për t’u argëtuar e për të krijuar atmosferën e duhur”, tha Franco Lerda, trajner i Partizanit.

Edhe Egbo qëndroi në të njëjtën linjë, megjithatë një nga frazat që tërhoqi jo pak vëmendjen ishte ajo ku pranoi se nuk e sheh veten si trajnerin e duhur për një klub si Tirana.

“Nuk di të them nëse jam apo jo trajneri i duhur për tiranen por jam koshient qe nuk mund të qëndroj deri në fund të sezonit si trajner i parë. Në kohën time ka qenë epokë tjetër. Kur kemi dalë kampion kemi qenë më ndryshe. Kur fillonte ndeshja, fillonte 1-0 për Tiranën, ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar. Duam të marrim maksimumin. Jemi 6 pikë nga vendi i parë dhe do të futemi në fushë vetëm për të fituar”, u shpreh Manuel Egbo, trajner i Tiranës.

 

Top Channel