Kurti: Qeveria para presidentit/ Kreu i VV tregon për bisedimet e vështira me LDK

12/12/2019 15:37

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Vetëvendosja triumfoi në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, megjithatë ajo ende nuk e ka marrë pushtetin. Arsyeja është marrëveshja e ngrirë e koalicionit.

Bisedimet me LDK-në vazhdojnë, por po dëshmohen të vështira. Vetëvendosja vetë e ka bërë të qartë se nuk do të bënte koalicion me një forcë tjetër politike, dhe se po të dështonin negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, vendi do të shkonte sërish në zgjedhje. Në një intervistë për DW, Albin Kurti shprehet optimist, edhe pse dallimet nuk mungojnë, sidomos kur bëhet fjalë për postin e presidentit. Nga sa pohon ajo, oferta e bërë LDK-së nuk mund të thuhet se nuk është bujare.

“Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, kemi rënë dakord të kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Kemi rënë dakord gjithashtu që të kemi kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, megjithatë kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post. Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin”, shprehet Kurti.

“Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë”, shprehet Kurti. Ai megjithatë shton se ka bindjen që me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë, ky ngërç do të kapërcehet. Por kjo nuk do të ndodhë sot. Siç e pohoi vetë Kurti, gjatë ditës nuk do të ketë një takim me Mustafën, ndërsa LDK-ja vazhdon me kërkesën e saj që në marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje të futet edhe posti i presidentit, madje për këtë kërkoi edhe zotim.

Top Channel