Atletico nuk zhgënjen, PSG fiton me goleadë, Bayerni ndëshkon sërish Tottenhamin

12/12/2019 00:12

Atletico e Madridit, ashtu siç pritej, siguroi biletën e dytë kualifikuese në Grupin D të Championsit, pas Juventusit. “Los Colchoneros” fituan 2-0 me Lokomotivën e Moskës (me gola të Joao Felix me 11-metërsh dhe të Felipes), duke shkuar në kuotën e 10 pikëve, katër më shumë se Bayer Leverkuseni, që u mposht po me rezultatin 2-0 nga “Zonja e Vjetër” (shënuan Ronaldo dhe Higuain). “Aspirinat” duhet të ngushëllohen me vijimin e aventurës europiane në Europa League.

Në Grupin A, PSG shkatërroi 5-0 Galatasaray-n në Paris, sfidë në të cilën shënuan 5 lojtarë të ndryshëm: Icardi, Sarabia, Mbappe, Neymar e Cavani. Po në këtë grup, Real Madridi fitoi 1-3 në fushën e Club Brugge. Për vendsasit shënoi Vanaken, ndërsa në listën e finalizuesve të “Los Blancos” shënuan emrim Rodrygo, Vinicius dhe Modric. PSG dhe Reali e kishin siguruar më parë kualifikimin, ndërsa Club Brugge shkon në Europa League.

Nuk arrin të hakmerret Tottenhami ndaj Bayernit të Mynihut për humbjen e thellë 2-7 në Londër. Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho pësoi tri herë në Allianz “Arena” (shënuan për bavarezët Coman, Muller dhe Coutinho), me golin e Sassegnon që mori vetëm vlerë statistikore. Takimi tjetër mes Olympiacosit dhe Crvena Zvezdas u mbyll 1-0 në favor të skuadrës greke, që fiton të drejtën për të luajtur në Europa League.

Top Channel