Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e uroi shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili të martën mori në një ceremoni zyrtare Çmimin Nobel për Letërsi.

“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Nobelin për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andricit, kemi edhe një tjetër laureat “, tha Vuçic, duke aluduar për shkrimtarin serb që fitoi Nobelin për Letërsi në 1961.

Kreu i shtetit serb shtoi se Handke është shpërblyer me Nobel për “punën e jashtëzakonshme letrare, njohurinë dhe krijimtarinë”, por edhe për “cilësi të pakrahasueshme morale, guxim dhe dinjitet”.

Shkrimtari austriak e pranoi të martën Nobelin e Letërsisë për vitin 2019, por kjo erdhi mes protestash të mëdha. Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnje, vendosën një ekran gjigant elektronik në qendër të Sarajevës, duke portretizuar Handke, si një djall që qëndron pranë kafkave, me një mesazh ku thuhet “turp të keni”. Në Stokholm, grupe protestuesish vendosën slogane si “Jo Nobel për lajme të rreme”, dhe thirrje “Handke kërkoi ndjesë për viktimat e Srebrenicës. Sot!”.

Ceremonia në Stokholm u bojkotua nga disa vende – përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën – për shkak të mbështetjes së zëshme të Handkes për ish-presidentin serb, Sllobodan Milloshevic, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990. “Sot është ditë e turpshme për Evropën dhe njerëzimin”, shkroi në Tëitter ministri i jashtëm i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli. Kjo, tha ai “tregon se Europa“, shkroi ai, “vuan nga harresa për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, Bosnjë e Kroaci“. Një turp e quajti dhënien e këtij çmimi edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, që tha se një lëvizje e tillë do të inkurajojë armiqtë e islamit dhe të njerëzimit.

Top Channel