6 të vdekur është bilanci i shkëmbimit të zjarrit të ndodhur pasditen e së martës pranë një dyqani hebraik në Nju Xhersi, në anën tjetër të lumit Hudson nga Manhatani.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Steven Fulop sqaroi se me të hyrë në dyqan të dyshuarit zunë pozicion dhe nisën menjëherë të qëllonin. Konfrontimi me policinë që solli mobilizimin e një numri të madh efektivësh, zgjati me orë të tëra.

Viktimat janë një burrë e një grua të dyshuar si agresorë, tre klientë të dyqanit dhe një polic. Dy policë të tjerë dhe një civil u plagosën në shkëmbimin e zjarrit dhe sipas njoftimeve janë në gjendje të qëndrueshme. Autoritetet po hetojnë mes të tjerash edhe pistën e antisemitizmit. Mediat lokale njoftojnë se përballja mes të dyshuarve dhe policisë filloi pranë një varreze dhe lidhej me një hetim të mëparshëm për vrasje.

Një zyrtar i qytetit u tha gazetarëve se nuk kishte asnjë provë që ngjarja të kishte lidhje me ndonjë akt terrorizmi. Në zonën e konfliktit ishte edhe një shkollë katolike, ku për orë të tëra qindra nxënës u mbyllën nëpër klasa e nuk guxuan të dilnin nga ndërtesa.

Top Channel